Gjumi i pasdites është i mirë për mësim

Prishtinë | 17 Mar 2023 | 20:46 | Nga Ekonomia Online

Shkencëtarët nga Universiteti i Delawares dhe Pennsylvania donin ta shqyrtonin më nga afër marrëdhënien ndërmjet gjumit gjatë ditës dhe funksioneve të trurit tek adoleshentët. Rezultatet e studimit u publikuan në Behavioral Sleep Medicine.

Tek adoleshentët, funksioni neurokognitiv është jashtëzakonisht i dobishëm në këtë periudhë të rëndësishme zhvillimore, transmeton koha.net.

Shkencëtarët i studiuan adoleshentët në Kinë, ku është praktikë për fëmijët e moshës shkollore (dhe për të rriturit) që të flenë pas drekës. Ata i mblodhën të dhënat për këto modele të gjumit të pasdites, por edhe gjumit të natës dhe cilësisë së gjumit, dhe pastaj të rinjtë kryen detyra neurokognitive.

Ata u interesuan për shpeshtësinë dhe kohëzgjatjen e gjumit në përpjekje për ta gjetur kohën optimale dhe sasinë e gjumit. U zbulua se ata që flinin pasdite pesë ditë në javë i kryen më mirë detyrat. Ata treguan gjithashtu vëmendje më të qëndrueshme, të menduar joverbal dhe kujtesë hapësinore. Sasia më produktive e kohës së gjumit ishte midis 30 dhe 60 minuta, por kurrsesi pas orës 16.

Megjithatë, hulumtuesit mbetën të befasuar me lidhjen pozitive në mes të gjumit të pasdites dhe atij të natës – supozimi është se kur flemë më shumë gjatë ditës, kjo do të ndikojë në cilësinë ose vetë mundësinë e gjumit të natës.

Ritmet cirkadiane (orët tona të brendshme të trupit) janë më të dobëta midis mesditës dhe orës 14:00. Në atë kohë ka shumë të ngjarë të ndihemi të ngadalësuar dhe joproduktivë. Në shkollat perëndimore nuk e marrin këtë parasysh siç merret parasysh, për shembull, në shkollat në Kinë.

“Gjumi ditor është një temë paksa kontroverse në Shtetet e Bashkuara. Në kulturën perëndimore, modeli monofazor i gjumit konsiderohet si një shenjë e pjekurisë së trurit”, tha autori kryesor Xiaopeng Ji. “Në Kinë koha e gjumit është e integruar në orarin pas drekës për shumë të rritur në vendin e punës dhe në shkolla”.

Autorët e pranojnë se bëhet fjalë për studim eksperimental dhe se bazuar në këtë nuk mund të konfirmohet shkakësia, por rezultatet paraqesin shtimin e një numri në rritje të të dhënave që tregojnë se orët dhe oraret aktuale shkollore mund të mos jenë më të dobishmet për mësim.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme