Në një konferencë të jashtëzakonshme për media nga Beogradi, drejtori i zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Marko Gjuriq i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që ta mbush mend Prishtinën për të respektuar ligjet ndërkombëtare rajonale dhe marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel me qëllim që të mos eskalojë situata në veri të Kosovës.
“Serbët reaguan qetë dhe me përgjegjësi ndaj provokimeve në Prishtinë. Reaguan qetë edhe pse është e qartë se Prishtina ka për qëllim që në një anë të sjellë serbët në pozitë të keqe që do të nënkuptonte largimin e tyre nga Kosova, qoftë në veri, qoftë në jug dhe në anën tjetër ishte që të shkaktohet zjarri i luftës në veri dhe Serbia nuk do më konflikte”, ka thënë Gjuriqi.
“Serbët në Kosovë nuk duan konflikte por është e qartë se Prishtina pikërisht kështu do ta nxisë. Serbia i bënë thirrje bashkësisë ndërkombëtare të reagojë dhe nuk do të bëjmë asgjë, përveç protestave paqësore që serbët këto ditë i kanë organizuar në Kosovë duke u treguar të gjithëve se si luftojnë në mënyrë të qetë për tokën e popullin. Ata e mbrojnë të drejtën për jetë, për bukë, për shkolla dhe nuk e rrezikojnë askënd dhe do të vazhdojnë të sillen kështu”, ka thënë ai.
Gjuriq ka reaguar edhe ndaj deklaratave të politikanëve të Kosovës gjatë vizitave që bënë në kullën e Isa Boletinit në Mitrovicë.
“Sot pamë agresione verbale dhe kërcënime të reja nga Prishtina e që nga Bajgora nga Kulla e Isa Boletinit premtuan se do të shkelin marrëveshjen e Brukselit, sikurse këtë s’e bënë tashmë dhe vazhdojnë të kërcënojnë serbët me heqjet e komunave dhe pushtimin e veriut”, ka thënë Gjuriqi.
“Serbët në veri dhe Serbia do të vazhdojnë të respektojnë marrëveshjen e Brukselit. Prishtina shkeli të gjitha marrëveshjet që u arritën por serbët në Kosovë edhe sot i respektojnë obligimet e veta dhe kur Prishtina të heq dorë nga masa diskriminuese që shkelin të drejtat e njeriut me serbët dhe kryetarët komunave që suspenduan pjesëmarrjen në institucione do të kthehen”, ka thënë ai.
Krejt në fund të kësaj konference, Gjuriqi ka porositur serbët në Kosovë që të jenë të qetë dhe të mos largohen nga institucionet.
“Ne nuk deshëm kurrë konflikt dhe dua të porosis serbët në Kosovë, porosinë e presidentit që çka do që bëjnë ta bëjnë qetë në mënyrë të civilizuar si deri tani, të mos nguten me hapat e radhës e të largohen nga institucionet, por të presim sepse konsiderojmë që është e domosdoshme që bashkësia ndërkombëtare e cila u desh të reagonte para shumë ditësh të ndërmerr hapa para se të bëhet vonë. Serbët në Kosovë sot janë krenari e Serbisë, lutjet tona janë me ata. I bëjë thirrje gjithë Serbisë që në këto ditë të vështira të jetë e bashkuar që të mbijetojmë”, ka thënë Gjuriqi.