Gjykata anulon vendimin e BQK-së të vitit 2015 me cilin Raiffeisen Bank ishte gjobitur me 1 milion euro

Prishtinë | 23 Nën 2020 | 17:07 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, ka aprovuar pjesërisht padinë e Raiffeisen Bank, të ushtruar në vitin 2015, duke anuluar vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).

BQK më 20 tetor 2015 kishte gjobitur me 1 milion euro Raiffeisen Bankë pasi që kishte ofruar produktin Payment Protection Insurance – PPI pa miratimin paraprakë të BQK-së, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Me një vendim të tillë nuk ishte pajtuar Raiffeisen Bankë e cila më 24 tetor 2015 përmes padisë  kishte iniciuar konfliktin administrative me të cilin kishte kontestuar ligjshmërinë e vendimit të këtij organi.

Seanca e shqyrtimit kryesorë në këtë rast ishte mbajtur më  7 tetor 2020.

Pas përfundimit të gjykimit, gjykata pjesërisht ka aprovuar padinë e paditësit si të bazuar.

Gjykata ka gjetur se vendimi i atakuar përmban të meta të tilla për shkak të të cilave nuk mund të shqyrtohet ligjshmëria e tij.

“Të metat e tilla qëndrojnë në shkeljet thelbësore të dispozitave të Ligjit për Procedurën Administrative. Shkeljet thelbësore të këtyre dispozitave konsistojnë në faktin se me nenin 84 par.2. të këtij ligji është paraparë se akti administrativ, që në këtë rast nënkupton vendimin e goditur me padi, duhet të  përmbajë përveç të tjerash  edhe një përmbledhje të konstatimeve faktike, bazuar në provat e paraqitura gjatë procedimit administrativ ose në faktet e siguruara nga administrata, një deklarim të bazës ligjore në të cilat bazohet akti etj” thuhet në vendim.

Sipas aktgjykimit, akti administrativ duhet të jetë i arsyetuar.

“Në arsyetimin e vendimit të kontestuar, e paditura përveç faktit se e kishte konstatuar se i padituri kishte zhvilluar një aktivitet financiar të pa licencuar të ndërmjetësimit në sigurime dhe kishte përshkruar procedurën e ndjekur nga e paditura me rastin e shqiptimit të ndëshkimit ndaj paditëses, nuk kishte dhënë asnjë arsye mbi faktet vendimtare që kanë kushtëzuar marrjen e vendimit të kundërshtuar e me të cilin janë paraparë ndëshkime dhe detyrime për paditësen” thuhet në vendimin e gjykatës.

Sipas gjykatës e paditura nuk e ka bazuar në asnjë provë të vetme dhe konkrete vendimin e kontestuar nga paditësi.

Lidhur me këtë aktgjykim, e paditura ka ushtruar ankesë e cila pritet të trajtohet nga Gjykata e Apelit.

Ndryshe sipas padisë së ushtruar më 24 tetor 2015, Raiffeisen Bank Kosovo kishte kërkuar nga Departamenti për çështje Administrative i Gjykatës Themelore në Prishtinë, të anuloj vendimin e BQK me të cilin paditësja ishte dënuar me 1 milion euro.

BQK më 20 tetor 2015 kishte gjobitur me 1 milion euro Raiffeisen Bankë pasi që kishte ofruar produktin Payment Protection Insurance – PPI pa  miratimin paraprakë të BQK-së.

Me një vendim të tillë nuk ishte pajtuar Raiffeisen Bankë përmes po konteston ligjshmërinë e këtij vendimi.

Të ngjashme