Gjykata del me njoftim pasi i dënoi me burgim Arlind Manxhukën, Egzon Azemin dhe dy tjerë

Prishtinë | 14 Pri 2026 | 19:10 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, ka shpallur aktgjykimin në çështjen penale ndaj të akuzuarve, zëdhënësit të Qeverisë Arlind Manxhuka dhe deputetit të VV-së Egzon Azemi për veprën penale Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit nga neni 141 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe të akuzuarve Q.E. dhe E.Z. për veprën penale Kanosja nga neni 181 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Në njoftimin e gjykatës thuhet se të akuzuarit Arlind Manxhuka dhe Egzon Azemi janë shpallë fajtor dhe “janë dënuar secili me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 1 (një) viti e 6 (gjashtë) muajsh, për veprën penale Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”.

Ndërsa, “të akuzuarit Q.E. dhe E.Z. janë shpallë fajtor dhe janë dënuar secili me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 6 (gjashtë) muajsh, për veprën penale Kanosja”.

Dënimi sipas këtij aktgjykimi do të ekzekutohet 15 ditë pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

“Të akuzuarit janë obliguar të paguajnë secili nga 200 (dyqind) euro në emër të shpenzimeve të procedurës penale, si dhe nga 100 (njëqind) euro secili në emër të kompensimit të viktimave të krimit”, thuhet në njoftim.

Tutje theksohet se “të dëmtuarit janë udhëzuar në kontest të rregullt juridiko-civil, për realizimin e kërkesës pasurore – juridike”.

Palët kanë të drejtë ankese kundër këtij aktgjykimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës, brenda afatit prej 30 ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit.

Të ngjashme