Pak ditë pasi një ministër i qeverisë Haradinaj përfundoi ballafaqimin me drejtësinë, një tjetër pritet ta fillojë, raporton KTV.
Gjykata Themelore e Gjakovës e hodhi poshtë aktakuzën për veprën penale “përvetësim gjatë ushtrimit të detyrës” ndaj Ministrit Pal Lekaj, ndërsa e konfirmoi për veprën “keqpërdorim i detyrës zyrtare”.
Ministri Lekaj i ka thënë KTV-së se konsideron se ky është hapi i parë drejt pafajësisë së tij.
Lekaj, në prill të këtij viti, aktakuzën e kishte konsideruar vetëm pretendim të Prokurorisë Speciale.
Avokati i tij, Arianit Koci, ka paralajmëruar ankesë në Gjykatën e Apelit për pjesën e konfirmuar të aktakuzës.
Bashkë me Lekajn, janë të akuzuar edhe 6 persona të tjerë, përshirë ish-zyrtarë të Komunës së Gjakovës dhe një biznesmen.
Ata dyshohen se kanë shpërndarë subvencione në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, në periudhën kur tani ministri Lekaj udhëhiqte me Komunën e Gjakovës.