Gjykata Kushtetuese e rrëzon Ligjin për Këshillin Prokurorial, vendimi pritet të publikohet të premten

Prishtinë | 23 Shk 2023 | 11:31 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Kushtetuese e ka shpallur të pavlefshëm Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Aktvendimi i trupit gjykues të Gjykatës Kushtetuese është marrë të martën, ka marrë vesh Paparaci nga burime të mirëinformuara brenda gjykatës.

Publikimi i aktvendimit pritet të ndodhë nesër.

Sipas vendimit, ligji nuk është në përputhshmëri me disa nene të Kushtetutës së Kosovës.

Më 1 korrik të vitit të kaluar, Ligjin për Këshillin Prokurorial, në Gjykatën Kushtetuese e ka dërguar Partia Demokratike e Kosovës, për siç thuhej “cenimin e rëndë të pavarësinë së gjyqësorit dhe shtrimin e ndikimit të politikës në KPK”.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri kishte thënë se ligji binte ndesh me gjashtë nene të Kushtetutës.

Sipas tij, në mes të dy leximeve po ashtu nuk janë marrë parasysh në tërësi edhe rekomandimet e Komisionit të Venecias.

“Vendimmarrja e KPK-së është direkt e varur nga politika, pra KPK-ja me ligj të ri nuk mund të ketë as kuorum as vendimmarrje në zgjedhjen e drejtuesve të pozitave të larta, pa pjesëmarrjen e njerëzve të politikës që dërgon mazhoranca – Kuvendi”, kishte deklaruar Tahiri.

Ligji për Këshillin Prokurorial është miratuar në Kuvendin e Kosovës më 23 qershor të vitit 2022.

Mes dy leximeve në Kuvendin e Kosovës, Ligji për KPK-në ishte dërguar për shqyrtim në Komisionin e Venecias. Bazuar në dy rekomandime të Komisionit, Ministria e Drejtësisë e kishte dërguar në kuvend versionin final të projektligjit.

Ministrja Haxhiu kishte deklaruar se Projektligji për KPK-në ishte një nga më të rëndësishmit të iniciuar nga Ministria e Drejtësisë.

Projektligji i ri për KPK-në parasheh ridefinimin e përbërjes së Këshillit Prokurorial të Kosovës. Nga 13 anëtarë, nga sa përbëhet Këshillit Prokurorial bazuar në Ligjin aktual në fuqi, propozim-ligji i qeverisë synon të reduktojë përbërjen e KPK-së në shtatë anëtarë.

Katër prej tyre do të zgjidhen nga shumica parlamentare, momentalisht e Lëvizjes Vetëvendosje. Tre të tjerë parashihen të zgjidhen nga sistemi prokurorial.

Këto dispozita ligjore i kanë shqetësuar prokurorët, të cilët kanë hapur një “konflikt” me Ministrinë e Drejtësisë shkaku i ligjit.

Këshilli Prokurorial i Kosovës e ka kundërshtuar ligjin.

Pas miratimit të tij në lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës, përmes një reagimi publik, KPK-ja kishte shprehur shqetësimin e saj se ligji cenon pavarësinë e prokurorëve.

KPK-ja kishte pretenduar se miratimi i këtij ligji ishte bërë me injorimin e komenteve shtesë të Komisionit të Venecias.

“Ky nxitim i Ministrisë së Drejtësisë për të proceduar me shpejtësi këtë draft të projektligjit, pa e ndarë draftin final me aktorët e këtij procesi dhe pa i pritur komentet shtesë të Komisionit të Venecias, si dhe pa i marrë parasysh edhe propozimet e dala nga Strategjia për sundimin e ligjit dhe ato të përfaqësuesve të sistemit prokurorial, është tendencë për të cenuar pavarësinë e Këshillit Prokorurial dhe Prokurorit të Shtetit, si institucione të pavarura dhe kushtetuese”, shkruhej në reagimin e KPK-së më 26 qershor të vitit të kaluar, ditën e miratimit të ligjit. ndër të tjera në reagim.

KPK-ja e ka akuzuar Ministrinë e Drejtësisë se me vetëdije “po bllokon dhe defunksionalizon sistemin prokurorial të Kosovës”.

Të ngjashme