Gjykata përkohësisht pezullon urdhërarrestin ndaj Albin Kurtit

Prishtinë | 22 Maj 2017 | 16:20 | Nga

Gjykata Themelore e Prishtinës ka pezulluar përkohësisht urdhërarrestin ndaj Albin Kurtit. Këtë për KTV-në e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës, Mirlinda Gashi.

“Lidhur me kërkesën tuaj konfirmojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë ka pezulluar përkohësisht ekzekutimin e Urdhëresës me nr.PKR.717/16 të dt. 21.04.2017 për ndalim, arrestim dhe dërgim në qendër të paraburgimit ndaj të akuzuarit A.K. Kryetari i trupit gjykues në këtë çështje penale ka vlerësuar arsyeshmërinë e pezullimit për ekzekutim të kësaj urdhërese”, është thënë në përgjigje të Gjykatës.

Albin Kurti është kandidat i Vetëvendosjes për kryeministër në zgjedhjet e parakohshme të qershorit, derisa ka qenë në kërkim për rastin e tij të gjuajtjes së gazit lotsjellës në Kuvend.

Kurti nuk është paraqitur vullnetarisht në seancat e Gjykatës dhe ka thënë se vullnetarisht këtë nuk do ta bëjë asnjëherë. Persekutim ndaj Vetëvendosjes e ka quajtur Kurti këtë urdhër-arrest ndaj tij.

Të ngjashme