Gjykata refuzon padinë e Tahirit ndaj Idrizit për “dosjen korruptive”, detyrohet t’ia paguajë shpenzimet gjyqësore

Prishtinë | 19 Tet 2023 | 14:24 | Nga Ekonomia Online

Në fushatën parazgjedhore për zgjedhjet lokale te vitit 2021, ishin zhvilluar debate të ashpra mes dy kandidatëve për kryetar të Vushtrrisë, Xhafer Tahirit të LDK-së dhe Ferit Idrizit të PDK-së, ku ky i fundit arriti t’i fitoj zgjedhjet. Pas zgjedhjeve lokale ish kryetari Xhafer Tahiri kishte paditur për shpifje dhe fyerje kryetarin e Vushtrrisë, Ferit Idrizin, duke i kërkuar 931 mijë euro dëmshpërblim. Sipas padisë së Xhafer Tahiri, kryetari i tanishëm “shpifjet” dhe “fyerjes” i ka bërë me qëllim të përfitimit të votave për vete dhe në dëm të tij. Lidhur me këtë rast, seanca e shqyrtimit kryesor të çështje është mbajtur më 6 tetor 2023.

Veriu.info ka siguruar aktgjykimin e nxjerrë më 17 tetor 2023 nga Gjykata Themelore e Mitrovicës – Dega Vushtrri, më të cilin i është refuzuar si e pabazuar kërkesëpadia e paditësit Xhafer Tahiri kundër të paditurit Ferit Idrizi.

Deri te kjo padi kishte ardhur, pasi që Ferit Idrizi gjatë fushatës parazgjedhore kishte prezantuar disa dokumente, duke i emërtuar si ‘dosje korruptive’ e kryetarit të atëhershëm të komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahirit.

Xhafer Tahiri kishte paditur kryetarin e tanishëm të Vushtrrisë, Ferit Idrizin, për shpifje dhe fyerje, lidhur me një video-mesazh që ky i fundit e kishte publikuar në profilin e tij në facebook, gjatë kohës së zgjedhjeve të cilat ishin mbajtur në tetor të vitit 2021. Në ato deklarata të Idrizit, sipas padisë, përmend aferat korruptive të kryetarit të atëhershëm, Xhafer Tahiri.

Me rastin e paralajmërimit për padi, Xhafer Tahiri në emisionin DebatPernime te Jeta Xharra kishte thënë: “z.Idrizi gjatë krejt kësaj fushate e ka përdorur një dosje me qëllim të përbaltjes dhe denigrimit të personalitetit tim. Nuk fitohet Vushtrria me dosje, koha e dosjeve ka kaluar … Unë kam përgatitur një padi për shpifje ndaj jush për këtë dosje, ose unë dënohem për korrupsion ashtu siç po thoni ju dhe siç po shpifni ju, ose ju do të dënohemi për shpifje, këtu mes nuk ka dhe këtu kompromis nuk ka”, kishte thënë Xhafer Tahiri në debat.

Por tash kur kërkesëpadia e tij është hedhur poshtë nga Gjykata Themelore e Mitovicës – Dega në Vushtrri dhe rrjedhimisht Ferit Idrizi nuk është dënuar për shpifje, mbetet të shihet a do të dënohet Xhafer Tahiri për korrupsion, ashtu siç vet ai ka thënë se kompromis në mes të këtyre dy çështjeve nuk ka.

Përveç hudhjes poshtë të padië, Gjykata e ka obliguar Xhafer Tahirin (paditësi) që Ferit Idrizit (të paditurit) t’ia paguaj shpenzimet gjyqësore në shumën e përgjithshme prej 1592,50 euro, në afat prej 15 ditëve pas pranimit të aktgjykimit, e nën kërcënimin e ekzekutimit të dhunshëm. Që nënkupton që nëse Xhafer Tahiri nuk ia paguan këtë shumë të mjeteve Ferit Idrizit, atëherë do të bëhet ekzekutimi i dhunshëm i këtyre mjeteve, që zakonisht bëhet përmes përmbaruesit.

Të ngjashme