Gjykata Themelore ka shpallur të pafajshëm për keqpërdorim zyrtar ish-zyrtarët e Agjencisë se Akreditimit, Basri Muja, Ferdije Zhushi e Armend Muja.
Gjyqtarja Valbona Selimaj, në arsyetimin që e ka dhënë në emër të trupit gjykues, ka thënë se për një pjesë të provave Prokuroria e Shtetit nuk ka arritur t’i argumentojë pretendimet e ngritura në aktakuzë.
Selimaj në arsyetimin e saj ka thënë se një pjesë tjetër e akuzave gjatë gjykimit kanë arritur kohën absolute të parashkrimit dhe se ato akuza nuk kanë mundur të vlerësohen fare nga gjykata.
Të tre këta persona akuzoheshin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje e dhënie ryshfeti.
Në seancë nga të akuzuarit ishte i pranishëm vetëm Armend Muja. Përveç dy të akuzuarve, për të dëgjuar vendimin nuk ishte i pranishëm as Prokurori i Shtetit.