Nuk ka kuadro, rrezikohet mbyllja e elektroenergjetikës në Fakultetin Teknik

Prishtinë | 21 Pri 2018 | 14:14 | Nga

Universiteti Publik i Prishtinës është duke u përballur me një situatë alarmante të mbylljes së disa programeve të studimit për shkak të mungesës së kuadrove.

Universiteti i Prishtinës ka nevojë për 300 persona si pjesë e stafit akademik, por do të detyrohet të shpallë konkurs vetëm për 62 persona, për shkak të buxhetit të pamjaftueshëm.

E kjo e ka rënduar situatën në disa fakultete, të cilat po përballën me mungesë të kuadrove.

Njëra ndër to, është departamenti i Fakultetit Inxhinierisë Elektrike dhe Komjuterike, ‘Elektroenergjetika’ e cila aktualisht ka vetëm katër profesor, ku prej tyre tre janë deri në nëntor, ndërsa deri në vitin 2019 mbesin me vetëm një.

Në anën tjetër, llogaritet që në këtë departament studiojnë dikund 300-400 studentë.

Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, njëherësh profesor, Enver Hamiti në një intervistë për Indeksonline ka thënë se gjendja e elektroenergjikes është  edhe më kritike, sepse rrezikohet edhe dështimi i akreditimit të nivelit bachelor për shkak të mungesës së stafit akademik.

“Kjo gjendje është në vazhdimësi kritike për programin e studimeve e elektro-energjetikes, dhe jo vetëm sepse edhe programi i elektronikës gjithashtu ka rreziqet e veta  sepse numri i mësimdhënësve që janë të angazhuar pothuajse është minimal i mundshëm, bile  i pamjaftueshëm, sepse si pasojë e mungesës së stafit akademik janë pezulluar këto tri programe në nivelin master. Posaçërisht gjendja është kritike të pjesa e elektro-energjetikes sepse rrezikohet edhe dështimi  i akreditimit të niveli bachelor. Kjo ka qenë arsyeja se pse është alarmuar situata dhe praktikisht jemi duke bërë çmos që të gjejmë zgjidhje të gjejmë rrugë të angazhojmë staf të ri në këtë fushë”, ka thënë Hamiti.

Ai ka thënë se studiuesit e kësaj dege të cilët do duhej të ishin bartës të zhvillimit ekonomik në fushën e energjisë, po ballafaqohen me probleme të cilat rrezikojnë mbylljen.

Mirëpo, Hamiti thotë se janë në kontakt me ministrinë e Zhvillimit Ekonomik dhe po mundohen të gjejnë një modalitet qoftë juridik a financiar që të mos mbyllen këto degë, e  të cilat janë të rëndësishme për burimet e ripërtërishme të energjisë.

“Programi i studimeve të elektroenergjetikës është program i vetëm i kësaj fushe që ekziston në nivel të Kosovës, i cili përgatitë  ekspert nga kjo fushë e të cilët do duhej të ishin bartës të zhvillimit ekonomik në fushën  e energjisë. Dhe është më rëndësi jetike, për shkak se Kosova  është vend i  zhvillimeve të energjisë dhe  ato burime të energjisë duhet të shfrytëzohen, duhet të menaxhohen. Përveç burimeve klasike që i kemi ne, duhet të mendojmë edhe për burime alternative, posaçërisht burime të ripërtërishme që janë shumë atraktive në këtë fushe. Kemi qenë të shtyre, edhe nga idetë e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, që të bëhet gjithçka që është e mundur për reformimin ë këtij  programi me qëllim që të jenë pjesë e strukturave  programore edhe këto burime që  janë të domosdoshme për zhvillimin ekonomik”, ka shtuar Hamiti për Indeksonline.

Sipas tij është paradoksale që në këtë kohë të zhvillimit të ekonomisë të kërkohen kuadro jashtë vendit.

Hamiti tutje ka sqaruar se si Agjencia e Akredimit ka pezulluar të gjitha programet që nuk e kanë numrin e nevojshëm të mësimdhënësve.

Ai ka thënë se kjo është bërë duke u bazuar në një udhëzim administrativ që nuk ka të bëjë me akreditimit të profesioneve të larta, duke bërë më dije së ka pasur shkelje ligjore për të cilin janë ankuar vazhdimisht përmes letrave.

“Agjencioni i akreditimit ka marr vendim për pezullimin e të gjitha programeve të cilat e nuk e kanë numrin e nevojshme të mësimdhënësve. Sipas interpretimit të tyre asokohe, kur është marr ai vendim, kanë qenë 3 mësimdhënës me kualifikim të nivelit të doktoratës, secili prej programeve të studimeve.  Dhe meqë, ne nuk kemi arritur që në programin e elektroenergjetikës dhe automatikës,  t’i kemi nga  3 mësimdhënës që kanë doktoratë,  atëherë na u është dhënë vendimi i pezullimit të  programeve të studimeve. Ne kemi bërë  me shkrim sepse procesi i pezullimit nuk është i paraparë më udhëzim administrativ të akreditimit të profesioneve të arsimit të lartë. Na asnjë rast nuk është kthyer  përgjigje për shkeljet ligjore  që kemi pretenduar me këtë vendim, sepse, në udhëzimin administrativ aso kohe realisht nuk ka  ekzistuar ky koncept”, është shprehur Hamiti.

Ai ka thënë se për vitin akademik i kanë pasur dy mësimdhënës në nivelin master, por duke qenë se Agjencia ka qenë jofunksionale, në ankesën e tyre nuk është përgjigjur askush.

“Agjencioni me përkrahje të ministrisë, ka ndryshuar udhëzimin administrativ  të cilin është  precizuar  numri 3+2+3.  Domethënë, nëse bachelor ka 180 kredi, atëherë  do  duhej të kenë tre mësimdhënës me nivel doktoratë për bachelor, e për master 2. Për vitin akademik 2017-2018 i kemi pasur dy në nivelin master, por duke qenë se Agjencia e Akreditimit ka qenë jofunksionale, në ankesën tonë të dytë që ta pezulloj vendimin e mëparshme për pezullimin e programeve të studimit, nuk është përgjigjur askush dhe nuk kemi arritur të bëjmë diçka. Pavarësisht që me udhëzimin administrativ, i kemi plotësuar kushtet i kemi pasur dy profesor, duke qenë se vendimi  ka qenë në fuqi, neve na u është ndalu mundësia për me shpallë konkurs për studentë në nivelin mastar e bachelor” ka përfunduar Hamiti.

Dekani i FIEK-ut ka dërguar kërkesë për takim me Ministrinë e Arsimit, Shyqyri Bytyqi në mënyrë që të gjendet një zgjidhje që ky program të vazhdojë jetëgjatësinë e saj, pa të cilin Kosova nuk mund të zhvillohet ekonomikisht.

Indeksonline ka kontaktuar me Ministrin e Arsimit, Shqyri Bytyqi i cili ka thënë se do të takohet me dekanin dhe të gjejnë një zgjidhje për këtë problem.

“Po do ta takojë gjithsesi, dhe do te diskutojmë për mundësitë e zgjidhjeve” ka thënë shkurt ai.

Indeksonline ka siguruar edhe dokumentin, ku tri programet Automatikë e Komjuterizuar dhe Robotikë, Elektroenergjetikë dhe Elektronikë të nivelit master janë pezulluar.

“Rrjedhimisht, edhe kësaj radhe në mungesë të plotësimit të kritereve sipas legjislacionit në fuqi KSHC i AKA ka marrë vendim për pezullimin e akreditimit të gjithsejtë 9 programeve të studimit të ofruara prej institucioneve publike dhe private të arsimit të lartë, kështu numri i gjithëmbarshëm i programeve të pezulluara deri më tani është 119”,  thuhet në një raport të mbledhjes së mbajtur në vitin e kaluar në Agjencinë e Akredimit.

Të ngjashme