Gjykata Speciale kërkon sqarime nga Gjykata Kushtetuese

Prishtinë | 31 Maj 2017 | 18:36 | Nga

Kryetarja e Gjykatës Speciale Ekaterina Trendafilova, i ka referuar Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese Rregulloren e Procedurës dhe të Provave pas rishikimit të saj prej gjykatësve të mbledhur në seancë plenare në muajin maj.

“Referimi bëhet pas rishikimit të nëntë prej 208 rregullave në bazë të Aktvendimit të Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese të datës 26 prill 2017. Rregullat 19, 31, 32, 33, 35, 36, 38, 54, dhe 158, në formën e rishikuar përfshijnë konstatimet e Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me pajtueshmërinë e tyre me standardet më të larta të të drejtave të njeriut dhe në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Këto rregulla trajtojnë mungesën e gjykatësve dhe vijimin e procedurave, masat hetimore që merr Prokurori i Specializuar, rivlerësimin e masës së mbajtjes në paraburgim dhe lirimin e personave të shpallur të pafajshëm nga një trup gjykues”.

“Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese ka deri në 30 ditë për rishqyrtimin e Rregullores për të siguruar përputhshmërinë e saj me Kapitullin II, përfshirë nenin 55, të Kushtetutës që garanton të drejtat themelore”

” Nëse konfirmohet, Rregullorja do të hyjë në fuqi shtatë ditë pas vendimit të Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese. Pas hyrjes në fuqi të Rregullores, Dhomat e Specializuara do të funksionalizohen tërësisht në aspektin gjyqësor dhe do të jenë të gatshme për kryerjen e procedurave gjyqësore”, thuhet në një njoftim të kësaj gjykate.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme