Gjykata Speciale lejohet me ligj të kërkojë prova në Serbi kundër UÇK-së

Prishtinë | 15 Kor 2017 | 19:24 | Nga

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) konsideron se s’ka asgjë të jashtëzakonshme lidhur me takimet e mundshme të zyrtarëve të Gjykatës Speciale me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Miftaraj ka thënë se edhe me Ligjin për Dhomat e Specializuara parashihet bashkëpunimi dhe ndihma edhe nga shtetet tjera lidhur me rastet që do të hapen për gjykim nga Gjykata Speciale.

Këto komente Miftaraj i ka bërë pas raportit të Ambasadorit të Kosovës në Beograd, Valdet Sadiku, i cili ka njoftuar Ministrinë e Punëve të Jashtme për takimet e zyrtarëve të Speciales me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Ministria e Punëve të Jashtme, në një përgjigje për Express, ka sqaruar se informatat e Ambasadorit Sadiku nuk janë të konfirmuara dhe se po i trajtojnë si të tilla.

“Ministria e Punëve te Jashtme e Kosovës, por edhe institucionet tjera ne Kosovë nuk kanë pse të habiten lidhur me takimin e mundshëm të zyrtarëve te Gjykatës Speciale me Presidentin Vuçiq, apo aktorë të tjerë ne Serbi”, thotë Miftaraj, për Express, të shtunën.

“Bashkëpunimi gjyqësor do të thotë se mund të marrin dëshmi, prova, deklarata dhe dëshmitarë në Serbi kundër ushtarëve të UÇK’së që do të akuzohen”, ka shtuar ai.

Sipas Miftarajt, këto takime mund të konsiderohen si parapërgatitje lidhur me kërkesat zyrtare që kjo gjykatë do t’iu dërgojë autoriteteve serbe për bashkëpunim gjyqësor.

“Takime te njëjta me krerë shtetërore serb kishte zhvilluar edhe Kryeprokurori Williamson sa ka qene Kryeprokuror i Task Forcës Speciale Hetimore të themeluar në vitin 2011”, ka sqaruar ai.

“Vet Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Prokurorin e Specializuar në nenin 55 ka përcaktuar se zyrtarët e kësaj gjykate dhe prokurorive mund të kërkojnë bashkëpunim dhe ndihmë nga shtetet tjera lidhur me rastet qe gjykata në punë. Ky ligj i miratuar nga vet Kuvendi i Kosovës ka përcaktuar një mundësi të tillë. Dhe në këtë drejtim është normale dhe e pritshme që gjykata të takohet me krerët shtetërorë në Serbi për të kërkuar bashkëpunim”, ka treguar Miftaraj, për Express, të shtunën.

Sidoqoftë, ambasadori Sadiku ka dërguar dy letra në MPJ, duke thënë se është shtuar aktiviteti i Speciales në Beograd.

Me letrën e parë, Valdet Sadiku e ka informuar MPJ’në se mbështetur në një burim të tij, përfaqësues të Gjykatës Speciale ditëve të fundit kanë pasur takime në Beograd, përfshirë edhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Aty, Sadiku, ka bërë të ditur se Vuçiq ka premtuar se shteti i Serbisë do t’i ofrojë mbështetje maksimale Gjykatës, si në aspektin logjistik, ashtu edhe sa i përket bashkëpunimit me institucionet serbe.

Por, Ministria e Drejtësisë nuk e ka asnjë informacion se zyrtarë të Gjykatës Speciale janë takuar me udhëheqësit e Serbisë në Beograd. Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, thotë se Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës duhet të konfirmojë nëse këto takime kanë ndodhur.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme