Kolegji i Gjykatës Supreme, në çështjen penale kundër të pandehurve S.M., ish kryetar i Gjykatës së Apelit, nga Peja, V.G., nga Peja, M.S., dhe A.S. të dy nga Klina, për shkak të veprave penale ushtrim i ndikimit, shtytje në ushtrimin e ndikimit dhe dhënia e ryshfetit në tentativë, duke vendosur sipas kërkesës për mbrojtjen e ligjshmërisë të Prokurorit të Shtetit, të paraqitur kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, të datës 28 maj 2018 dhe aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të datës 23 tetor 2018., në seancën e mbajtur me datën 5 qershor 2019, ka aprovuar pjesërisht kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të Prokurorit të Shtetit.
Kolegji i Gjykatës Supreme ka konstatuar se aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe ai i Gjykatës së Apelit janë marrë me shkelje të ligjit penal, në pjesën që i përket të pandehurit S.M., për veprën penale ushtrim i ndikimit dhe të pandehurës V.G., për veprën penale shtytje në ushtrimin e ndikimit.
Kolegji i Gjykatës Supreme ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të Prokurorit të Shtetit, e ushtruar kundër këtyre aktgjykimeve, në pjesën që ka të bëjë me të pandehurit V.G., M.S., dhe A.S., për veprën penale dhënia e ryshfetit.
Kolegji i Gjykatës Supreme, ka konstatuar se në faktet e vërtetuara në mënyrë të drejtë, gabimisht është aplikuar ligji penal në dobi të pandehurve S.M., dhe V.G., sepse janë nxjerr përfundimet e gabuara për ekzistimin e veprave penale.