Gjykata Themelore në Prishtinë ka mbi 15 mijë lëndë të pazgjidhura, një lëndë mund të marrë 5 vjet kohë

Prishtinë | 02 Maj 2018 | 13:26 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Veç në Gjykatën Themelore në Prishtinë presin që dikush të merret me mbi 15 mijë lëndë kryesisht të natyrës civile, kurse për përfundimin e një lënde në këtë gjykatë mund të shkojë deri në 5 vjet, raporton Ekonomia Online.

Për numrin e madh të lëndëve të pazgjidhura u diskutua në Komisionit parlamentar për Mbikëqyrjen e Financave gjatë shqyrtimit të raporti të auditimit për efikasitetin e menaxhimit të lëndëve civile në Gjykatat Themelore për vitin 2017.

Avdullah Hoti, nga LDK, ka përmendur problemet që ka gjetur auditori në lëndët  civile në Gjykatat Themelore.

Ai ka thënë se problemi më i madh është numri i madh i lëndëve të pazgjidhura. Nga viti 1999 janë mbi 15 mijë lëndë të pazgjidhura, dhe sipas tij ky numër vazhdon të rritet nga viti në vit.

Hoti ka shtuar se problem është mënyra e kategorizimit të lëndëve të pranuara dhe procedurat e ndryshme të shpërndarjes së lëndëve.

“Auditorët gjejnë që gjykatat themelore përdorin procedura të ndryshme të shpërndarjes së lëndëve. Problem është edhe tek mënyra e kategorizimit të lëndëve që pranohen. Problem është përgatitja e zyrtarëve për mënyrën e pranimet të lëndëve dhe sistemimin e tyre. Sa i përket lëndëve të pazgjidhura është pika më problematike”.

“Prej vitit 99 deri më sot janë 15 mijë lëndë të pazgjidhura, ky numër po rritet nga vitit në vit. Në Gjykatën Themelore në Prishtinë janë nga 600 lëndë për gjyqtarë, në Pejës është më pak e ngarkuar. 75 për qind janë të pazgjidhura në gjykatën e Gjilanit. Arsyeja e vonesave është mungesa e stafit mbështetës. Ka shtyrje të seancave, vonesa”.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, tha se problemi me i madh me të cilin përballen është zvarritja e lëndëve dhe mungesa e stafit mbështetës.

Sipas tij, gjendja është më e rëndë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ndërsa në gjykatat tjera është më e mirë.

“Sa i përket audimit të menaxhimt te lëndëve civile. Në raport janë dhenë edhe rekomandime. Çështja e shpërndarës, kategorizimi i lëndëve dhe numri i lëndëve të pazgjidhura. Sfida më e madhe është zvarritja e lëndëve. Gjendja më e rëndë është në Prishtinë, në gjykatat tjera është me mirë. Aktualisht Gjyqtarët nuk kanë staf mjaftueshëm mbështetës. Gjyqtari kohën më të madhe e kalon me punë administrative, nuk them që s’ka të meta edhe të gjyqtarët”.

Idrizi ka thënë ka përmirësime në menaxhimin e lëndëve. Sipas tij, këtë vit janë rreth 92 mijë lëndë më pak se në vitin 2017.

“Sa i përket rekomandimit për menaxhim, kryetarët e gjykatave kanë përgjegjësi për monitorimin e rasteve. Sa i përket shpërndarjes së lëndëve, lëndët duhet të caktohen për te lejuar menaxhimin efikas të tyre. Kemi një donacion nga qeveria norvegjeze, pritet që në qershor të mbyllet, me këtë projekt pritet që të regjistrohet në mënyrë elektronike, pritet që te hiqet letra nga përdorimi dhe gjithçka të jetë elektronike. Sa i përket trajnimit, procedurat e shqyrtimit të lëndëve vazhdojnë të kenë ndikim pozitiv në menaxhimin e lëndëve”.

“Menaxhimi i lëndëve civile po përmirësohet. Rreth 92 mijë lëndë janë më pak në vitin 2018 në raport me vitin e kaluar. Jemi ne proces të rekrutimit të 37 gjyqtarëve, madje se me ketë rekrutim do të jemi më efikas”.

Kryetari i komisionit, Driton Selmanaj, tha aspekti i menaxhimit nuk ka funksionuar, siç është mungesa e gjyqtarëve.

“Jemi në fazën e hershme, akoma po pritni projekte që do të fillojnë. Të gjeturat po shoh që aspekti menaxherial s’ka funksionuar. Mungesave e përfaqësues, mungesa e gjyqtarëve. Të gjitha këto lidhen me aspektin menaxherial.

Shqipe Pantina, GDP, tha se duhet të bëhet vlerësim i njerëzve që  s’janë të përgjegjshëm.

Ajo shtoi se është shembull pozitiv që Gjykatës së Pejës i nevojiten 15 muaj për të zgjidhur një lëndë, ndërsa Prishtinës 5 vjet.

“Një shtet ku nuk funksionon drejtësia edhe jetesa është pikëpyetje. Do të hezitoja me investuar në një vend ku ndonjë lëndë kontesti do të zgjaste deri në 5 vjet. Ne duhet të gjejmë mekanizëm që edhe për njerëzit që s’janë të përgjegjshëm në punë të bëhet një vlerësim. A ka diçka konkrete për të përmirësuar efikasitetin e gjyqtarëve. Ka shembuj pozitiv, është inkurajuese që gjykatës së Pejës i duhen 15 muaj për të zgjidhur një lëndë, ndërsa Prishtinës 5 vjet”

Zafir Berisha nga Nisma Socialdemokrate, tha se puna e drejtësisë ndikon edhe në qëndrimin e mekanizmave ndërkombëtar për Kosovën.

“Si pjesë e shoqërisë a  e keni të qartë se gjykatat janë edhe nen llupën e ndërkombëtarëve dhe me marr masa për të përmirësuar gjendjen. Shpesh puna e drejtësisë po ndikon edhe në qëndrimin e mekanizmave ndërkombëtar”.

Nehat Idrizi duke iu përgjigjur deputetëve ka thënë se 16 gjyqtarë janë në procedurë për shkelje të Kodit të Etikës. Sipas tij, 1/3 e gjyqtarëve i nënshtrohen vlerësimit të performancës.

“Sa i përket vlerësimit të performancës, as ne nuk jemi të paprekshëm nëse bien në kundërshtim me kodin e etikës. Vitin e kaluar kemi pasur 16 gjyqtarë në procedure për shkak të shkeljeve të kodit të etikës apo për të tjera. 1/3 e gjyqtarëve i nënshtrohen vlerësimit të performancës”.

Muharrem Nitaj, nga AAK ka pyetur Idrizin rreth numrit të stafit që u duhen për ta bërë funksional sistemin e drejtësisë.

“Ju a keni analizuar ndonjëherë se sa është numri i njerëzve që ju duhen, sa është kostoja financiare, nëse këto do të adresoheshin kur do ta bënit sistemin funksional”.

Idrizi duke iu përgjigjur Nitajt, ka thënë se u është lejuar 112 pozita të reja. Por ai shtoi duhet e jenë të kujdesshëm me buxhetin që të mos dalin me kërkesa të papërballueshme.

“Sa i përket numrit të stafit mbështetës, po duhet të jemi të kujdesshëm me buxhetin që të mos dalim me këtë. 112 pozita të reja na janë lejuar, këto do të ndihmojnë në efikasitetin e gjykatave. Jemi në proces të rekrutimit në gjykatën e apelit”.

Kryetari i gjykatës themelore të Pejës, tha se në vitet 2009-2010 kanë qenë në kolaps, ndërsa tani kanë shënuar përparim, sipas tij, edhe për shkak të shtimit te numrit të gjyqtarëve.

“Ne 2009 dhe 2010 gjykata ka qenë në kolaps. Tani kemi përparim, edhe reformat kane treguar rezultatin e vet. Shtimi i gjyqtarëve ka tregu sukses në përfundimin e lëndëve. Sistemi për rekrutimin e gjyqtarëve është i gjatë”.

Të ngjashme