Gjykata Kushtetuese në krahinën e Bavarisë, ka konfirmuar të hënën ndalesën për gjykatëset dhe prokuroret që të mbajnë shami në kokë.
Sipas një vendimi u hodh poshtë apeli i komunitetit fetar islamik, për ta tërhequr ndalimin e mbajtjes së shamisë së kokës nga gjykatëset dhe prokuroret.
Sipas tyre kjo u bë me argumentin se ata janë të detyruar që të jenë neutralë në çështjet e fesë dhe të ideologjisë. Në opinionin e Gjykatës thuhet se “ky vendim nuk ka bëjë me çështje fetare ose ideologjike, dhe në këtë drejtim gjykata qëndron neutrale”, shkruan deutsche welle përcjellë Klan Kosova.
Në këtë kontekst u ngrit një debat nga komuniteti islamik në Gjermani, meqenëse simboli i krishterë i kryqit qëndron i varur në sallat bavareze të gjykatave.
Këtë argument gjykata nuk e pranoi. Ajo iu përmbajt qëndrimit se prania e kryqeve është një çështje tjetër, meqenëse për të vendos administrata e gjykatave dhe ajo nuk hedh dyshim për neutralitetin e gjykatësve dhe prokurorëve si individë.
Gjykata shpalli më tej se ndalimi nuk i diskriminon gratë, sepse janë të ndaluara edhe objekte të tjera me përmbajtje fetare, të cilat i mbajnë burrat.
Kjo u bë një çështje që u përhap një debat i madh mes partive politike.
Në një kontribut tjetër në këtë debat, zëvendëskryetari i Grupit Parlamentar CDU/CSU në parlamentin gjerman, Carsten Linnemann, përsëriti një thirrje të dëgjuar dendur kohët e fundit, për të ndaluar në të gjithë Gjermaninë shaminë e kokës për vajzat nën moshën 14 vjeç.
“Vajzat duhet të kenë mundësinë që të rriten me të njëjtat liri si djemtë”, i tha Lindeman së përditshmes Rheinische Post në një intervistë të publikuar të hënën.
Ai shtoi se “ka qenë së fundi në grupin e redaktorëve të një antologjie me titull “Islami politik nuk bën pjesë në Gjermani” dhe është pjesë e një grupi që nxit politika më të ashpra integruese”.
Vitin e kaluar, qeveria e landit më të madh nga numri i popullsisë në Gjermani, Rini-Verior – Vestfali, i hapi rrugën një plani për të miratuar një ligj, i cili ndalon që vajzat nën moshën 14 vjeç të mbajnë shami koke në shkollë në fund të vitit 2019. Kritikë të shamisë së kokës e shohin atë si simbol të shtypjes së grave myslimane. Ajo mund të sinjalizojë më tej një afëri për besime më fundamentaliste. Të tjerë e shohin ndalimin e shamisë së kokës si ndërhyrje në të drejtat personale.