Gjykatësja vendos kufizime ndaj komenteve të ish-presidentit Trump

Prishtinë | 17 Tet 2023 | 09:58 | Nga Ekonomia Online

Gjykatësja federale që drejton çështjen gjyqësore të hapur ndaj ish-presidentit Donald Trump me akuza për përpjekjet për përmbysjen e rezultatit të zgjedhjeve të vitit 2020, lëshoi të hënën një urdhër, i njohur si urdhër heshtjeje, që i ndalon ish-presidentit republikan të bëjë deklarata në lidhje me prokurorët, dëshmitarët e mundshëm dhe personelin e gjykatës.

Urdhëri i Gjykatëses Tanya Chutkan merr rëndësi të veçantë në këtë fazë të procesit gjyqësor që akuzon ish-Presidentin Trump për konspiracion të paligjshëm për të përmbysur humbjen në zgjedhjet e vitit 2020 përballë demokratit Joe Biden.

Ekipi i Prokurorit të posaçëm Jack Smith është shprehur i alarmuar nga një vërshim deklaratash kundër prokurorëve, gjykatëses dhe dëshmitarëve të ardhshëm. Prokurorët thonë se këto komente, rrezikojnë të dëmtojnë besimin e publikut tek sistemi gjyqësor dhe mund të frikësojnë personat që do të përzgjidhen për të dëshmuar, apo për t’u bërë anëtarë të jurisë gjyqësore.

Gjykatësja Chukan tha se nuk do të ketë kufizime për deklaratat që kritikojnë Departamentin e Drejtësisë në përgjithësi, apo për deklaratat në lidhje me qëndrimin e ish-Presidentit Trump se procesi është i motivuar politikisht.

Por, gjykatësja tha se zoti Trump nuk mund të bëjë “një fushatë njollosëse” ndaj prokurorëve dhe personelit të gjykatës. “Asnjë të akuzuari tjetër nuk do t’i lejohej të vepronte kështu, dhe unë nuk do ta lejoj për këtë çështje (gjyqësore)”, tha ajo.

Avokatët e ish-presidentit kundërshtuan me forcë një urdhër heshtjeje të çfarëdo forme, duke thënë se kufizon në mënyrë jokushtetuese lirinë e fjalës në politikë. Një zëdhënës i ish-Presidentit Trump nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për të komentuar për vendimin e gjykatëses.

Duke kërkuar këtë urdhër të gjykatës, ekipi i Prokurorit Smith e akuzoi kandidatin kryesues republikan për zgjedhjet e vitit 2024 se përdor sulmet në internet për të dëmtuar imazhin e anëtarëve të jurisë.

Të ngjashme