Gjykimi ndaj dy policëve të akuzuar për keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës, refuzohen propozimet e mbrojtjes për dëshmitarë të rinj

Prishtinë | 09 Qer 2023 | 08:39 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Themelore në Mitrovicë ka refuzuar propozimet e mbrojtësve të dy zyrtarëve policorë të akuzuar për keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës, Rrustem Mehmeti dhe Teuta Mulliqi, avokatëve Gazmend Ismajli dhe Mahmut Halimi, që në cilësinë e dëshmitarëve të dëgjohen zyrtari policor Gani Kamberi dhe avokati Dijar Dinaj.

Në këtë rast, Rrustem Mehmeti dhe Teuta Mulliqi po ngarkohen se më 24 gusht 2020 në zyrën e stacionit Policor në Mitrovicë – Jug, me keqpërdorim të detyrës ose autorizimit kanë keqtrajtuar, frikësuar dhe e kanë ofenduar rëndë dinjitetin e të dëmtuarit N.B., raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjyqtari i rastit Xhemajl Jusufi, në lidhje me refuzimin e propozimeve të mbrojtjes për dëgjimin e dëshmitarëve të rinj, ka deklaruar se të njëjtit nuk kanë qenë të pranishëm në momentet kur, sipas aktakuzës, ka ndodhur keqtrajtimi.

Ndryshe, të pranishëm në seancë ishin prokurorja Ajtene Zoni, i dëmtuari N.B. me përfaqësuesen e tij, avokaten Marigona Gashi, i akuzuari Rrustem Mehmeti me mbrojtësin e tij, avokatin Gazmend Ismajli dhe e akuzuara Teuta Mulliqi me mbrojtësin e saj, avokatin Mahmut Halimi.

Në vazhdimin e shqyrtimit gjyqësor të së enjtes, u dëgjua i dëmtuari në cilësinë e dëshmitarit, N.B.

Duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të të akuzuarit Mehmeti, avokatit Gazmend Ismajlit, i cili e pyeti dëshmitarin nëse është e vërtetë që në deklaratën e dhënë në Inspektoratin Policor të Kosovës, ka thënë “u çova, i thashë nuk hy në zyrën tuaj…”, dëshmitari N.B. deklaroi se kjo pyetje është e pakuptueshme.

Kështu, e njëjta pyetje u ndalua nga gjyqtari Jusufi, me arsyetimin se dëshmitarit nuk mund t’i parashtrohen pyetjet në formë të sekuencuar, në disa fjalë të caktuara, pa e kuptuar kontekstin e pyetjes, pasi paraprakisht e njëjta pyetje u kundërshtua nga prokurorja Ajtene Zoni.

Tutje, i dëmtuari-dëshmitari N.B. deklaroi se në fillim të marrjes në pyetje në ditën kritike, në Stacionin Policor Jug – Mitrovicë, kanë qenë prezent i akuzuari Rrustem Mehmeti, një zyrtar tjetër policor me emrin Gani Kamberi, dhe avokati Dijar Dinaj, ndërsa shtoi se para përfundimit të marrjes në pyetje kishte shkuar edhe e akuzuara Teuta Mulliqi, e cila e kishte sjellur vendimin për ndalimin e tij.

Ai shtoi se atë ditë policët e akuzuar nuk ia kishin lexuar të drejtat e tij si i dyshuar, ndërsa tha se nënshkrimin e procesverbalit në tërësi e ka bërë nën detyrim nga të njëjtët, pasi fillimisht kishte kundërshtuar ta nënshkruajë, duke thënë se avokati Dijar Dinaj, i caktuar sipas detyrës zyrtare, i kishte insistuar që ai ta nënshkruante procesverbalin e deklaratës.

“Pasi që ka ndodhë dhuna psiqike, fizike, tortura, kur vetë policja Teuta Mulliqi ka deklaruar se i ka vrarë prindërit e vet, me duart e saj, unë kam menduar me veten se përse nuk më vret dhe mua, dhe ky është detyrimi që më ka obliguar ta vë nënshkrimin”, deklaroi i dëmtuari-dëshmitari N.B.

Tutje, duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të të akuzuarës Teuta Mulliqi, avokatit Mahmut Halimi, i cili e ballafaqoi dëshmitarin me deklaratat e tij të mëhershme, ku në njërën pyetje të prokurores, kishte thënë se nuk e kishte ditur arsyen e ftesës për në stacionin policor, e në pyetjen tjetër kishte thënë se e kishte ditur, duke thënë se e ka denoncuar ish-gruaja e tij, i dëmtuari-dëshmitari N.B. u përgjigj përfundimisht se nuk e kishte ditur arsyen e ftesës.

Avokati Halimi kërkoi nga i dëmtuari-dëshmitari N.B. që sipas vlerësimit personal të tijë, të tregojë se çfarë nënkupton për të tortura, presioni dhe dhuna, pasi kishte thënë se të gjitha këto i ka përjetuar në ditën kritike.

“Këto nocione i kuptoj ashtu siç i kam thënë, dhuna fizike sipas meje nënkupton goditjet të cilat i kam pranuar nga i akuzuari i parë, presioni për të dhënë deklaratë pa prezencë të avokatit, torturë është kur detyrohesh të japësh deklaratë, edhe kur të është garantuar mbrojtja në heshtje, edhe kur e akuzuara e dytë më ka thënë se i ka vrarë prindërit e vet me dy duart e saj, pastaj kur i akuzuari Mehmeti më ka thënë “ti thej eshtrat”, e ka nxjerrë shkopin duke ma ofruar tek goja mem goditë, duke më thënë ti thejë dhëmbët, si dhe fjalë dhe veprime të tjera” deklaroi i dëmtuari-dëshmitari N.B.

I njëjti deklaroi se e akuzuara Mulliqi ka manipuluar me prova, sepse e kishte shtuar në kallëzim penal edhe veprën penale të dhunës në familje pa prova fare, duke shtuar se atë ditë në stacion policor ishte ftuar si i dyshuar vetëm për veprën penale të kanosjes ndaj ish-bashkëshortes së tij.

“Në rastin tim e kam vërtetuar se policia nuk koordinohet me prokurorinë e shtetit, sepse pastaj unë kam shkuar personalisht, tek prokurorja Danijela Batkoviq, e kam pyetur se ku është bazuar në lidhje me veprat penale për të cilat dyshohem dhe ajo nuk ka pasur përgjigje”, deklaroi i dëmtuari N.B.

Tutje, avokati Halimi e pyeti të dëmtuarin-dëshmitarin, nëse i beson drejtësisë, duke shtuar se në lidhje me këtë procedurë që po zhvillohet kundër zyrtarëve policorë në fjalë, i dëmtuari N.B. në rrjete sociale ka komentuar shumë, ku mes të tjerash, klienten e tij e ka quajtur kriminele.

Pasi prokurorja Ajtene Zoni paraqiti kundërshtimin në lidhje me këtë pyetje, e njëjta u ndalua të parashtrohet nga gjyqtari Jusufi, me arsyetimin se nuk ndërlidhet me çështjen, dhe përgjigja eventuale e dëshmitarit nuk do të ndikonte në zbardhjen e gjendjes faktike.

Tutje, avokati Halimi kërkoi nga gjykata të verifikojë nëse i dëmtuari N.B. është duke e incizuar seancën, kërkesë kjo që u refuzua nga gjyqtari Jusufi, me arsyetimin se sjelljet e mëparshme, apo prirjet eventuale të të dëmtuarit, nuk mund të merren si bazë e mjaftueshme që i njëjti të kontrollohet nga gjykata në këtë seancë.

Tutje, duke u përgjigjur në pyetjet e gjyqtarit Jusufi, nëse ka pasur ndonjë lëvizje në zyrën e zyrtarëve policorë, gjatë kohës sa ka zgjatur keqtrajtimi i pretenduar, i dëmtuari N.B. deklaroi se fillimisht kanë qenë vetëm dy të akuzuarit, ndërsa pasi ka përfunduar keqtrajtimi ka ardhur avokati Dijar Dinaj, duke shtuar se pastaj eventualisht ka hyrë ose ka dalur edhe ndonjë zyrtar tjetër policor nga zyra.

Avokati Gazmend Ismajli propozoi që si dëshmitarë të dëgjohet zyrtari policor Gani Kamberi, me qëllim të vërtetimit të fakteve vendimtare, sepse i njëjti sipas deklaratave të të dëmtuarit N.B., ka qenë prezent nga fillimi e deri në fund të marrjes në pyetje.

Po ashtu, edhe avokati Mahmut Halimi propozoi që në cilësinë e dëshmitarit të dëgjohet avokati Dijar Dinaj, me qëllim të ndriçimit të fakteve, në lidhje me deklaratën e dhënë nga i dëmtuari N.B. në ditën kritike dhe në lidhje me pretendimet e të njëjtit.

Këto propozime u kundërshtuan nga prokurorja Zoni dhe përfaqësuesja e palës së dëmtuar, avokatja Marigona Gashi, me arsyetimin se keqtrajtimet të cilat i ka pësuar i dëmtuari nuk kanë ndodhur në praninë e zyrtarit policor Gani Kamberi dhe as në praninë e avokatit Dijar Dinaj.

Gjyqtari Jusufi kundërshtoi propozimet e mbrojtjes në lidhje me dëshmitarët në fjalë, me arsyetimin se në kohën kur pretendohet se është kryer vepra penale, personat e propozuar për dëshmitarë nuk kanë qenë të pranishëm.

“Po ashtu, bazuar në nenin 123 të KPPK-së, si dëshmitarë nuk mund të dëgjohet mbrojtësi, për atë që i pandehuri ia ka besuar atij në cilësi të mbrojtësit të vet, përveç kur kërkon vetë i pandehuri”, shtoi gjyqtari Jusufi.

Për shkak se gjyqtari Jusufi ishte i angazhuar si anëtarë i trupit gjykues në një seancë tjetër, e caktuar paraprakisht, seanca u ndërpre, ndërsa e rradhës u caktua për 5 korrik 2023.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 20 shtator 2021 ka ngritur aktakuzë kundër Rrustem Mehmetit dhe Teuta Mulliqit, me arsyetimin se më 24 gusht 2020 në zyrën e Stacionit Policor në Mitrovicë – Jug, me keqpërdorim të detyrës ose autorizimit kanë keqtrajtuar, frikësuar dhe e kanë ofenduar rëndë dinjitetin e personit tjetër, të dëmtuarit N.B.

Sipas aktakuzës, me rastin e marrjes në pyetje të të dëmtuarit N.B në zyrën e Teuta Mulliqit, pasi që i njëjti kishte kërkuar qe t’i sqarohet se për çfarë arsye është ftuar dhe duke iu thënë që nuk dëshiron të japë deklaratë pa prezencën e avokatit, nuk iu kanë lexuar të drejtat e tij, ndërsa të akuzuarit kanë filluar t’i bëjnë presion dhe dhunë fizike që të japë deklaratë.

Tutje, në aktakuzë thuhet se i pandehuri Rrustem i ka thënë: “cilin avokat po e do, Tomën apo Rrecaj, çfarë filozofi je ti, mësuesit si ti na kanë sjellë këtu ku jemi tani”. Ndërsa, përreth një orë nuk iu është siguruar avokati.

Gjithnjë sipas aktit akuzues, i pandehuri Rrustem Mehmeti dy herë e kishte goditur në pjesën e qafës pas kokës, duke kryer dhunë fizike, ndërsa e pandehura Teuta me këtë rast në mënyrë ironike kishte qeshur.

Tutje, thuhet se polici Rrustem ia kishte vendosur shufrën tek goja dhe i kishte thënë që do t’ia thyej dhëmbët apo eshtrat, ndërsa tërë ngjarjen i dëmtuari N.B. e ka incizuar me telefon mobil.

Prandaj, me këtë në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”, nga neni 195 par. 1 i KPRK-së, në lidhje me nenin 31 të KPRK-së.

Të ngjashme