Pas dy vjetësh, procesi gjyqësor ndaj ish-deputetit të PDK-së, Azem Syla, si dhe 38 të akuzuarve të tjerë për krim të organizuar në rastin “Toka” rrezikon të përsëritet, shkruan sot Koha Ditore.
EULEX-i është tërhequr nga kërkesa drejtuar javë më parë Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) për kthimin e gjyqtares, Nora Bllaca, e cila ka qenë pjesë e trupit gjykues kur është zhvilluar hetimi i veçantë dy vjet më parë. Në atë proces u patën marrë në pyetje disa dëshmitarë të mbrojtur.
Krahas tërheqjes nga kërkesa rreth Bllacës, misioni ndërkombëtar ka kthyer gjyqtarin tjetër, Vladimir Mikula, i cili ka qenë po ashtu bashkë me Bllacën pjesë e hetimit të veçantë. Ai është njëri prej gjyqtarëve të emëruar muaj më parë në Gjykatë Speciale.
Megjithatë, kthimi i Mikulës nuk dihet nëse do të mjaftojë për të mos e kthyer gjykimin në pikën “zero”. Gjithçka, sipas përgjigjeve që EULEX-i ia ka kthyer “Kohës Ditore” do të merret vesh pasi të fillojë procesi gjyqësor.