Borrell: Qeveria ruse dëshiron të destabilizojë Bashkimin Evropian dhe anëtarët e tij

Prishtinë | 16 Qer 2021 | 18:42 | Nga Ekonomia Online

Bashkimi Evropian duhet të flasë me një zë ndaj Rusisë, me të cilën nuk mund të llogarisë në përmirësimin e marrëdhënieve së shpejti, tha Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë Josep Borrell, ndërsa samiti amerikano-rus u mbajt në Gjenevë.

“Rusia nuk dëshiron të flasë me Bashkimin Evropian, ajo preferon të flasë drejtpërdrejt me disa anëtarë që janë të rëndësishëm në sytë e saj. Bashkimi Evropian duhet të tregojë unitet në mënyrë që ta detyrojë Rusinë të flasë me të”, tha Borrell.

Ai paraqiti një dokument mbi marrëdhëniet e BE-së me Rusinë të mërkurën me rekomandime se si të përmirësohet zbatimi i politikës evropiane ndaj Rusisë. Krerët e vendeve anëtare të BE-së do të diskutojnë këto rekomandime në një samit javën e ardhshme.

“Nëse vendet anëtare i miratojnë këto rekomandime, ata do të duhet të sigurojnë që ato të ndiqen dhe të mos lejojnë që Rusia të na ndajë”, tha Borrell.

Ai theksoi se marrëdhëniet e mira midis BE-së dhe Rusisë nuk duhet të priten shumë shpejt.

“Në rrethanat aktuale, një partneritet i ri midis Rusisë dhe BE-së, i cili do të lejojë një bashkëpunim më të ngushtë, duket një e ardhme e largët”, tha Përfaqësuesi i Lartë i BE-së.

Të ngjashme