Retkoceri: Me Davkovan presidente, marrëdhëniet Prishtinë – Shkup s’do të jenë si deri tani

Prishtinë | 25 Pri 2024 | 18:41 | Nga Ekonomia Online

Dje janë mbajtur zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut, ku e para doli Gordana Siljanovska Davkova me 40.08%, i dyti Stevo Pendarovski me 19.92%, i treti Bujar Osmani me 13.37% dhe i katërti Arben Taravari me 9.2%.

Gazetari shqiptar në Shkup, Arben Retkoceri, ka komentuar rezultatin zgjedhor, duke thënë se ajo që pritet të ndodhë është se nacionalistja nga VMRO-DPMNE, Gordana Siljanovska Davkova do të jetë presidente e ardhshme.

“Davkova do të jetë president e ardhshme. VMRO-DPMNE do ta formojë qeverinë e ardhshme dhe mesazhin do ta kisha parë për shqiptarët në rajon. Jam i bindur se marrëdhëniet mes Prishtinës dhe Shkupit nuk do të jenë si deri tash, se dihet qëndrimet e Pendarovskit por edhe të qeverisë aktuale, ku pothuajse se raportet më të mira i kanë mbajtur me Prishtinën dhe kjo më shqetëson. Dhe e dyta është se do të ketë pengesë në rrugën e integrimeve të Maqedonisë së Veriut drejt BE-së”, tha Retkoceri.

Ndërsa për sa i përket kandidatit tjetër për president, Stevo Pendarovski, tha se ai nuk pritet ta ketë përkrahjen e koalicioneve shqiptare.

“Dihet që Pendarovski është zgjedhur si kandidat i përbashkët i shqiptarëve dhe maqedonasve para katër viteve dhe që në rrethin e parë shqiptarët e patën përkrahur Pendarovskin dhe në mënyrë komode në rrethin e dytë i pati fituar zgjedhjet”.

“Por, tash situata është më ndryshe, do të kisha thënë si asnjëherë më parë. Pra, kemi një kandidate nacionaliste të një partie nacionaliste të cilën fushatën e bazoi në anti-shqiptarizëm, ku një herë s’u kritikua nga opozita shqiptare”, tha ai.

Të ngjashme