Bullgaria nga e hëna rihap shkollat, restorantet dhe kinematë

Prishtinë | 08 Pri 2021 | 19:23 | Nga Ekonomia Online

Bullgaria do të rihapë shkollat, restorantet dhe kinematë nga e hëna pasi vala e tretë e pandemisë së koronavirusit tregoi disa shenja lehtësimi, ka thënë të enjten ministri i Shëndetësisë, Kostadin Angelov.

Qendrat tregtare do të hapen pas dy javëve, ndërsa baret dhe klubet e natës, të mbyllura që nga nëntori, do të jenë në gjendje të mirëpresin njerëz me kapacitet prej 50 për qind nga 29 prilli.

Vendi ballkanik me 7 milionë njerëz regjistroi të enjten 3.556 raste të reja me koronavirus, pak më pak se mesatarisht rreth 4.000 infeksione në tre javët e mëparshme.

Vala e tretë e pandemisë ishte e ashpër për Bullgarinë, e cila ka shkallën e dytë më të lartë të vdekjeve nga koronavirusi në Bashkimin Evropian pas Hungarisë.

Ajo ka pasur 364.419 raste të raportuara, duke përfshirë 14.034 vdekje në total.

Të ngjashme