Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka mbajtur panelin e diskutimit me temë “Progresi në implementimin e reformës në Administratë Publike: Ku qëndron Kosova?”, gjatë të cilit janë paraqitur të gjeturat e Raportit Kombëtar të Monitorimit të Reformës së Administratës Publike (RAP) për Kosovën.
Arbëresha Loxha, hulumtuese për Kosovë në projektin WeBER, prezantoi të gjeturat e këtij raporti.
“Sa i përket disponueshmërisë së informatave, kemi gjet se Qeveria e Kosovës në baza të rregullta komunikon me publikun përmes komunikatave. Kemi gjet se duhet të jetë praktikë në te ardhmen që indikatorët e paraparë në planin vjetor, të raportohet mbi to në qeveri”, tha Loxha, raporton Ekonomia Online.
Ajo tha se vendimet dhe diskutimet e mbledhjes së Qeverisë raportohen në baza javore dhe vendimet publikohen ne web faqen e Zyrës së Kryeministrit.
“Mirëpo shoqëria civile nuk ndan mendim të njëjte për nivelin e transparencës. Në Kosovë raportohet në baza të rregulla për gjendjen e shërbimit civil. Këto raporte konsiderohen relativisht të mira”, tha Loxha
Ajo pati vërejtje edhe për procesin e rekrutimit, për të cilin tha se nuk është transparent.
“Raportohet vetëm për personin e zgjedhur dhe jo sa kanë performuar të tjerët. 1/3 e shërbyesve civilë konsiderojnë se shërbyesit civilë janë të rekrutuar në bazë të meritave. Organizatat e shoqërisë civile, vetëm 18 për qind pajtohen se kandidatët më të mirë emërohen në pozita të larta drejtuese. 51% e shërbyesve civilë konsiderojnë se shpesh ose gjithmonë shërbyesit civilë largohen nga puna për shkaqe politike”, tha ajo.
“Institucionet nuk publikojnë raporte vjetore dhe as financiare. Shumica e institucioneve që i kemi pas në mostër kanë munguar. Njëkohësisht mungojnë informacione sa i përket komunikimit me organizata të shoqërisë civile. Në fushën e menaxhimit të financave publike kemi gjet se dokumentet e buxhetit publikohen në mënyrë të rregullt, në baza mujore, tremujore, gjashtëmujore e njëvjeçare. Në përgjithësisht raportet janë të fokusuara në aspektin financiar”.
Besnik Tahiri , koordinator nacional për Reforma Shtetërore, tha se ky raport duhet të thjeshtësohet dhe të kthehet në mjet pune për qeverinë.
“Pjesëmarrja e shoqërisë civile në zhvillimin e politikave, në veçanti në procesin e Reformës së Administratës Publike është shumë e rëndësishme, duke marrë parasysh synimin që të kemi një politikë-bërje transparente. Kjo i shërben më së miri synimit tonë për një qeverisje të mirë dhe për fuqizimin e qeverisjes dhe vizionit për anëtarësim në Bashkimin Evropian”.
“Pajtohem që te vendimmarrja duhet të ketë më shumë transparencë mirëpo e gjithë vendimmarrja është publike si në secilin vend të BE-së. Mendoj që fillimisht këtë raport do të duhej të thjeshtësoni dhe ta ktheni në mjet pune për qeverinë. Po ka shumë probleme në mes të raportimit te donatorët dhe ai që është publik në vlerësim. I drejtohem shërbyesve civil të kenë kujdes se ajo del në dokument publik dhe notën negative e ka Kosova”, tha ai.
Ai tha se janë në përgatitje të ligjit për qeverinë.
“E pashë kërkesën për strategji të planifikimit me marrëdhënie me publikun. Nuk është ndërmarrje publike Zyra e Auditorit Gjeneral që me pas komunikim. Të gjitha raportet e auditorit gjeneral janë publike. Ligjin për qeveri jemi duke e bërë. Jemi në proces të ecjes përpara. I kemi nda sektorët e inspeksioneve dhe deri në qershor do të bëjmë ligjin për inspektoratin e lartë dhe do të krijojë një bazë të lartë transparente për të gjitha inspektimet në Kosovë”.
“Evidenca që ne kemi nga RESPA dhe vlerësime tjera tregojnë që Qeveria e në veçanti shërbimi civil i vendit është shembull i bashkëpunimit dhe konsultimit me publikun dhe se Platforma Online për konsultim publik është model që po merret nga vendet e Rajonit”.
“Në kuadër të procesit të zhvillimit të politikave, përfshirja e shoqërisë civile, është një prej elementeve ku Qeveria e Kosovës qëndron më së miri, e për më tepër sipas vlerësimeve Kosova ka arritur të vendosë sistem më të avancuar se vendet e Rajonit dhe ato anëtare të BE-së”.
“Fokusi ynë në rrugën tonë tutje është kalimi i pakos së tri ligjeve për RAP në lexim të dytë, pastaj vazhdimi i zbatimit të Ligjeve të Pakos dhe hartimin e miratimin e Ligjit për Qeverinë, Reformat në Inspektime dhe në pushtet lokal”.
Arjeta Sahiti, udhëheqëse e Sekretariatit Koordinues në Zyrën e Kryeministrit, tha se si mandat kryesor e kanë koordinimin dhe monitorimin e zhvillimit te politikave.
“Në kuadër të reformës së administratës publike, ky proces tashmë është i formalizuar dhe përbën shtyllën e parë të RAP-së. Dy strategjitë janë për rregullim më të mirë dhe për planifikim të politikave. Çdo dokument i cili konsultohet në platformën online është i obliguar te paraqes edhe platformën e diskutimeve publike. Nga zyra e kryeministrit çdo kërkesë qe vjen nga shoqëria civile i përgjigjemi. Sikur kësaj here që jam prezent, jam e bindur se po të kishim ndonjë informatë do t’ju kishim dhënë përgjigje. Po t’i rrinit prapa kësaj pune do ti kishit këto përgjigje”, ka thënë ajo, raporton EO.
“Ne si Kosovë monitorohemi nga Sigma. Prej 2014 kur kanë filluar këto monitorime, kanë qenë mbi 200 pyetje që ka bërë Sigma në këtë fushë. Ne jo vetëm që e kemi parasysh se monitorohemi por vetë kemi vendosë standarde dhe jemi të kujdesshëm. Raporti vjetor i qeverisë i përmban të gjitha të dhënat për ministritë. Për ne në fundvit është më e lehtë me e bërë raportin vjetor sepse ata vetë i paraprijnë këtyre raporteve”.
Rezultatet e monitorimit sugjerojnë se Kosova performon më mirë në fushën e Zhvillimit të Politikave dhe Koordinimit dhe Ofrimit të Shërbimeve, ndërsa më dobët në fushën e Llogaridhënies dhe Menaxhimit të Burimeve Njerëzore.
Megjithatë, rezultatet rajonale të projektit WeBER sugjerojnë se liderët në procesin e anëtarësimit në BE nuk janë në të vërtetë të parët. Më saktësisht, rezultati i përgjithshëm sugjeron se në krahasim me 6 vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, Kosova renditet e dyta, vetëm pas Shqipërisë, duke lënë prapa liderët në procesin e anëtarësimit në BE, Malin e Zi dhe Serbinë.