Familja pesë anëtarësh e Avni Qatanit, sot u bë me shtëpi të re, fal fondacionit humanitar “Golden Eagle”. Në ceremoninë e dhurimit të çelësave ishte prezent edhe kryetari I Komunës së Suharekës Sali Asllanaj.
Pronari i i Kompanisë “Frutex”, Shaqir Palushi me këtë rast u shprehë se Fondacioni “Golden Eagle” vazhdon në mbështetje familjeve me nevojë, me ndërtimin e shtëpive të tyre.
“Kësaj radhe kemi përzgjedhur familjen e veteranit të UÇK-së, z. Avni Qatani, i cili pas luftës ka pasur dy probleme: mungesën e kushteve jetësore dhe probleme shëndetësore”, tha Palushi.
Ai ka shtuar se do të ndërtohen edhe katër shtëpi tjera në rajone tjera, ndërsa kjo është shtëpia e tretë.
Ndërsa kryetari Asllanaj, ka falënderuar Kompaninë “Frutex” dhe ka shtuar “shpresojmë që ky aksion do të vazhdojë, sepse kjo kompani krahas afarizmit pozitiv vazhdon edhe të mbështesë aksionet humanitare.
Kryetari Asllanaj, ka shtuar se edhe Komuna po mundohet të ndihmojë në mënyra të ndryshme rastet me kushte të vështira ekonomike.
“Këtë vit kemi një projekt për të ndihmuar 30 familje, por jo për ndërtimin komplet të shtëpive, por për ndihma të ndryshme si dikujt një çati, tjetrit dritare për shtëpi, pastaj material ndërtimor, etj”, u shpreh ai.
Familja Qatani e lumtur hyri në shtëpi të re, ndërsa kryefamiljari vazhdimisht falënderonte Fondacionin “Golden Eagle”.