“Golemi” i Gustav Meyrink, një narracion kompleks e i zymtë

Prishtinë | 26 Jan 2023 | 20:54 | Nga Bujar Meholli

“Golemi” i Gustav Meyrink-ut është ndër romanet më interesant, kompleks, të letërsisë së shekullit XX. Leximi i tij është përvojë tepër interesante.

Kemi të bëjmë me një melodramë ekspresioniste të ndërtuar mbi ëndrra, me një tmerr rrëqethës e evokim të qytetit surreal, Pragës, dhe getos çifute.

Ky produkt i rrallë artistik hyn patjetër në aradhën e narracioneve të zymta që vijnë si pasojë e qiejve të ngrysur nga lufta që po shkatërronte gjithçka në kontinentin e vjetër.

Golemi, që është në qendër të romanit, tipizon shpirtin e vetëdijen e gjallimit nëpër geto, nëpër mjerim, me barrën e të qenit çifut, me plot vuajtje, frikë, pasiguri e nënshtrim.

Athanasius Pernath-i, personazhi kryesor, është argjendar e restaurues i gurëve të çmuar që jeton brenda mureve të getos çifute dhe papritmas zhytet brenda honeve të një makthi të llahtarshëm gjatë udhëtimit tejkohor, burokracive të panjohura e individëve misteriozë që simbolizojnë kalvarin e çifutëve dhe nënshtrimin e tyre shekullor, paralelisht me egërsinë e shfaqur ndaj tyre.

Gjatë radhëve të romanit haset në dialogë konfuzë, skena makabre, të frikshme, të llahtarshme…

Pernath-i s’e kontrollon kujtesën, jetën e tij të mëparshme, nëpër geto përfshihet nëpër komplote pa qenë i aftë t’i kontrollojë a mënjanojë. Proza është herë-herë ëndërrimtare, groteske, e pakuptimtë, duke devijuar jo rrallë në filozofi e misticizëm.

“Golemi” është shkruar pikërisht në kohën kur autori gjendej në një periudhë të vështirë, me plot kriza nervore, dhe me shfaqjen e interesit për okultizmin, kabalën dhe misticizmin lindor.

Të ngjashme