Google është akuzuar për fshirjen e Palestinës nga shërbimi i hartave Google Maps. Gjatë kërkimit të Palestinës në Google Maps, hartat tregojnë një pozitë gjeografike të nënvizuar, por pa një emërtim përkatës të shtetit të Palestinës, ndërkaq ajo e Izraelit nuk mungon.
Ndërsa, 136 shtete të anëtare të Kombeve të Bashkuara e njohin Palestinën si shtet të pavarur, ShBA-të dhe disa shtete të tjera nuk mbajnë të njëjtin qëndrim. Përfaqësimi i Palestinës në Google Maps nuk ka ndryshuar edhe pas një deklarate të lëshuar nga një forum gazetarësh nga Palestina, e cila dënon aktin e Google.
Kjo deklaratë është përhapur kaq shumë në internet dhe rrjetet sociale saqë njerëzit po shprehin zemërimin e tyre me tagun “#PalestineIsHere”. Një zëdhënës i Google tha se emërtimi Palestinë në Google Maps nuk ka ekzistuar ndonjëherë, por që është zbuluar një gabim, i cili ka bllokuar emërtimet “Banka Perëndimore” dhe “Rripi i Gazës”.
Një peticion i lansuar gjatë muajit mars, i cili kërkonte nga Google të shfaqte emërtimin Palestinë në harta ka arritur me mbi 250 000 nënshkrime. Ndërsa, asgjë nuk ka ndryshuar, ky zemërim i shprehur online nga miliona përdorues shtron pyetjen rreth ndikimit të teknologjisë së hartave në këndvështrimin e njerëzve rreth botës.
Por, ky nuk është rasti i parë i cili ka shkaktuar reagim të gjerë publik. Përdoruesit në Rusi gjatë qasjes në hartat e Google shohin një vijë të trashë kufitare ndarëse mes Rusisë dhe Krimesë. Jashtë Rusisë ato vërejnë një Krime të rrethuar nga një vijë e ndërprerë për të lënë të kuptohet se është territor i pushtuar. /PCWorld Albanian/