Graçanica nuk i zbaton rregullat për punësim

Prishtinë | 08 Qer 2019 | 11:43 | Nga Ekonomia Online

Komunarët e Graçanicës nuk i përfillin rregullat ligjore, kur është çështja te angazhimi dhe rekrutimi i punëtorëve, shkruan sot “Koha Ditore”.

Këtë ata e bëjnë krye në vete. Rregullat e përcaktojnë se kryetari i një komune mund të angazhojë 4 zyrtarë mbështetës. Ndërkohë, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në raportin e saj vjetor për vitin 2018 ka gjetur se Komuna e Graçanicës në kundërshtim me ato rregulla ka angazhuar 11 punëtorë në cilësinë e këshilltarëve.

“Sipas Udhëzimit Administrativ (MLSH) Nr.01/2018 për përcaktimin e stafit ndihmës për komuna, neni 4, thuhet: ‘Për të siguruar asistencë teknike, kryetari i komunës mund të caktojë katër (4) zyrtarë mbështetës në zyrën e tij – shefin e kabinetit, zyrtarin për marrëdhënie me publikun, zyrtarin administrativ dhe zyrtarin e logjistikës (vozitës). Komuna kishte angazhuar 11 (njëmbëdhjetë) punëtorë me marrëveshje për shërbime të veçanta në cilësinë e këshilltarëve komunalë, ku kontrata u vazhdohet çdo gjashtë muaj”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Sipas të njëjtit, këta këshilltarë janë caktuar për të dhënë këshilla në fushën e financave, administratës, rinisë dhe sporteve, për të bashkëpunuar me komunitetet jo-shumicë etj. Përveç kësaj, Auditori ka gjetur se njëri prej tyre është në detyrë të këshilltarit të kryetarit që nga viti 2015.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme