Mesfushori i ri i Arsenalit, Granit Xhaka, është shprehur i emocionuar që në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve do të përballet me vëllanë e tij Taulantin dhe ish-skuadrën Baselin.
Arsenali bën pjesë në Grupin A bashkë me Baselin, PSG-në dhe Ludogoretsin.
Ky nuk është dueli i parë i vëllezërve Xhaka. Ata ishin ndeshur edhe në Euro 2016 kur përfaqësonin Zvicrën dhe Shqipërinë.
“Çfarë të them për shortin e Ligës së Kampionëve. Pasi luajta ndaj gjakut tim, Taulant Xhaka, në Euro 2016, me gjasë do të përballemi edhe në “Champions”. Është edhe më e veçantë që Baseli është ish-klubi im. Por shpresoj t’ia dalim në raundin e ardhshëm”, ka shkruar Granit Xhaka në rrjetet sociale.