Granti i MCC-së dhe festa e qeverisë me maska

Prishtinë | 01 Maj 2024 | 07:40 | Nga Besa Ismaili

Sot pati një entuziazëm të përtërirë për fondin e MCC për sektorin e energjisë, respektivisht rialokimin e fondeve për bateritë.

Ndonëse ato, dhe jo rastësisht u promovuan fillimisht në publik nga eksponentë që nuk janë të ekzekutivit, le të kujtojmë që negociatat fillestare i pati filluar z.Haradinaj, pastaj edhe z. Hoti, por fondet e këtij programi për gazpërçuesin pikërisht i anuloi kryeministri Kurti gjatë qeverisë Kurti I.

Fakti që fondet tani po rialokohen për përdorim të baterive, dhe atë në fund të mandatit të dytë të z.Kurti, ngreh pikëpyetje për prioritetet e qeverisë dhe proceset vendimmarrëse.

Ndonëse investimi në sektorin energjetik është përherë i mirëpritur dhe asnjëherë i bollshëm, manovrimet politike dhe jokonsistenca e deritanishme e kryeministrit Kurti tregojnë mungesë të planifikimit strategjik në shfrytëzimin e ndihmës dhe mbështetjes për zhvillimin e Kosovës.

Kryeministri Kurti jo që nuk ndihmoi Kosovën gjatë qeverisjeve të tij por ai i vonoi, zvogëloi dhe tjetërsoi edhe ndihmat e të tjerëve për Kosovën.

Të ngjashme