Gruaja Demokratike e PDK-së ka reaguar në lidhje me vazhdimin e deklaratave fyese të Sami Kurteshit, ndaj ministres së drejtësisë, Dhurata Hoxha.
Sipas PDK-së, në gjuhën politike të Sami Kurteshit mbaron politika apo veprimi i saj dhe fillon diçka krejt tjetër, kriminalizimi i gjuhës.
Lexoni reagimin e plotë të PDK-së
Thonë që e vërteta dhe politika janë në marrëdhënie të këqija midis tyre. E vërteta e ngritur për dikë si sajesë e veprimeve në bazë të inateve a përfitimeve të mundshme, e nxjerrë nga metoda egolitariste e bindjes së vartësve, ka dëmin edhe më të madh politik, pasi krijon partizanë të çështjes e fanatikë të bindjeve, ku mendimi racional e diskutimi humbin fuqinë. E tillë gjendje konsiderojmë të jetë vazhdimi i paraqitjeve publike të njërit nga drejtuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshit, i cili vazhdon të fyej një nënë një grua e një familje. Dhe këtë gjë e bëjnë vetëm partizanët e çështjes apo fanatikët e bindjeve, e për çudi, ky njeri dikur ishte avokat i popullit!
Është shumë normale që opozita në Kosovë të ketë diskurs tjetër politik nga pozita. Është shumë me dobi që ky diskurs politik të jetë një alternativë e re karshi ekzistueses që bën pozita. Gjithsesi se në dobi të konsolidimit e zhvillimit të demokracisë në vend, ky diskurs duhet të jetë i ngritur mbase edhe i argumentuar për të qenë bindës, se vërtetë është një alternativë dëshmuese për shumicën e qytetarëve të vendit.
Fyerjet e sharjet, nuk e nderojnë këtë diskurs e mbase e tregojnë varfërinë dhe mungesën e ideve.
Zemërimi i tepërt nuk krijon racionalitet as që ngre alternativë e diskurs, por vetëm mllefosje për gjithçka që e rrethon.
Në gjuhën politike të Sami Kurteshit mbaron politika apo veprimi i saj dhe fillon diçka krejt tjetër, kriminalizimi i gjuhës.