Është hapur panairi me moton “Bashkë mundemi”, në të cilin organizata të grave, gra në biznes dhe individë të tjerë kanë mundësi t’i promovojnë produktet e tyre tradicionale.
Panairi mbështetet nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA). Shefi i Zyrës së TIKA-s në Kosovë, Hasan Bural Ceran, u shpreh i kënaqur që janë pjesë e këtij organizimi. “Ju e dini se projektet tona janë të fokusuara për njerëzit, prandaj ishte e rëndësishme për ne që ta bëjmë organizimin së bashku me OJQ-të e ndryshme të grave për të promovuar produktet vendore nga gratë”, tha Ceran, raporton Ekonomia online
Valbona Sadiku, pronare e “Honey Center Ensar”, kultivuese e mjaltit, tregoi për produktin e mjaltit që ajo e prodhon në fabrikën e saj dhe tha se këta produkte janë antibiotikë në kushte të shtëpisë. “Jemi prodhues të fletës së dyllit dhe pogaqes për bletë dhe kemi një produkt që është produkt inovativ në Kosovë, që është antibiotik në kushte të shtëpisë dhe është produkti më i kërkuar në treg”.
“Punojmë e gjithë familja, unë, bashkëshorti dhe dy djemtë dhe kemi dy punëtore”, shtoi ajo.
Kultivuesja e mjedrës dhe aronisë, Afërdita Murati, drejtuese e biznesit “Kastrioti”, tregoi për Ekonomia Online përdorimin e lëngut të aronisë për probleme shëndetësore.
“Bëjmë përpunimin e produktit të mjedrës dhe aronisë. Lëngu i aronisë përdoret për diabet, yndyrë, tension të lartë dhe për infeksione urinare”.
Bedrie Shurdhani, punuese e veshjeve tradicionale, tregoi sa për punën e dorës që ajo bën. “Këto i bëj vetë, sot është dita e parë dhe falënderojmë organizatorin. Marrin kohë 4 ditë, 5 ditë me punu intensivë, sepse këto janë të punuara me dorë”.
Shurdhani tha se nuk ka përkrahje nga askush për zhvillimin e biznesit të saj.