Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Berlin, Richard Grenell, e kritikoi ashpër ministrin gjerman të Ekonomisë, Peter Altmaier, i cili tërhoqi paralele midis spiunimit kinez dhe amerikan.
“Nuk ka ekuivalencë morale midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara dhe kushdo që e sugjeron këtë, e injoron historinë”, tha Grenell.
Zënka pasoi vendimin e Gjermanisë për të mos ndaluar pjesëmarrjen e gjigantit kinez të teknologjisë Huawei në rrjetin gjerman të telefonisë celulare 5G.
Disa e shohin Huawei-n si rrezik për sigurinë.
Qeveria amerikane po u bën thirrje aleatëve perëndimorë që të mos e lejojnë Huawei-n që të bëjë kontrata për 5G, duke thënë se kjo kompani është shumë e afërt me Partinë Popullore të Kinës dhe me shërbimet e inteligjencës në Kinë.
Ministri gjerman, Altmaier, gjatë një debati televiziv, kujtoi një skandal të vitit 2013, kur Agjencia e Sigurisë Kombëtare e SHBA-së ka spiunuar disa aleatë amerikanë, përfshirë edhe kancelaren gjermane, Angela Merkel.
Ai tha se “Gjermania ende nuk i ka bërë ndonjë bojkot” SHBA-së, në lidhje me këtë skandal.
“SHBA-ja gjithashtu kërkon nga kompanitë e saj që të japin informacione të caktuara – të nevojshme për të luftuar terrorizmin”, tha Altmaier.
Kina është partneri më i madh tregtar i Gjermanisë.
Megjithatë, edhe zyrtarët e inteligjencës gjermane e kanë këshilluar Qeverinë e Merkelit që të ndalojë Huawei-n nga 5G e Gjermanisë.