Grupi për Siguri dhe Barazi Gjinore dënon gjuhën fyese ndaj nënkryetares Saranda Bogujevci

Prishtinë | 10 Mar 2023 | 18:05 | Nga Ekonomia Online

Grupi për Siguri dhe Barazi Gjinore (SGG) i dënon reagimet fyese dhe seksiste ndaj nënkryetares së Kuvendit të Kosovës Saranda Bogujevci, të bëra në rrjetet sociale pas një debati në Parlamentin e Kosovës që u zhvillua me 9 mars, ku u diskutua për të drejtat e grave për të lindur fëmijë përmes asistencës mjekësore. 

Disa nga mesazhet e shprehura në publik dhe në internet përbëjnë sulm ndaj grave në përgjithësi, dhe   znj. Bogujevci në veçanti dhe mund të përbëjnë gjuhë të urrejtjes. Parlamenti nuk duhet të lërë hapësirë për diskurs ofendues që synon individë ose grupe të bazuara në karakteristika të qenësishme. 

Çështja e shëndetit riprodhues të grave definohet dhe sqarohet nga Konventa për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Grave (CEDAW) e cila pasqyrohet në nenin 22 të Kushtetutës së Kosovës dhe si e tillë është drejtpërdrejt e zbatueshme. CEDAW njeh dhe mbron të drejtën e grave për shëndet, duke përfshirë shëndetin e tyre seksual dhe riprodhues.  Përveç kësaj, Ligji për Barazi Gjinore përcakton qartë se diskriminimi gjinor i drejtpërdrejtë ose i tërthortë është i ndaluar, duke përfshirë këtu trajtimin më pak të favorshëm të grave për shkak të shtatzënisë dhe amësisë, statusit martesor, kombësisë, racës, aftësisë së kufizuar, orientimit seksual, statusit social, besimit fetar, moshës ose çdo bazë tjetër e përcaktuar me ligj ose marrëveshje dhe instrumente ndërkombëtare në fuqi.

SGG u bën thirrje institucioneve përkatëse që të respektojnë angazhimet e tyre që rrjedhin nga dokumentet ndërkombëtare dhe të sigurohen që të gjitha gratë dhe vajzat të mbrohen nga diskriminimi dhe rastet e gjuhës së urrejtjes. 

Të ngjashme