Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GSJP) sot organizoi një tryezë diskutimi me temën “Shqyrtimi i rolit të Gjykatës Kushtetuese si aktor i ndryshimit shoqëror në Kosovë”.
Panelistë në këtë tryezë thanë se Gjykata Kushtetuese në Kosovë ka një rol të fuqishëm në ndryshimet shoqërore dhe se kjo gjykatë assesi nuk guxon të ndikohet nga politika në vendimet e saj.
Gjyljeta Mushkolaj, ish-gjyqtare në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, tha se gjykatësit dhe gjyqësori duhet të jenë të paanshëm. “Roli i gjyqësorit duhet të jetë ndryshimi rrënjësor shoqëror në arritjen e planit institucional të projektuar me Kushtetutë”.
Profesori i së drejtës kushtetuese në UP, Visar Morina, tha se Gjykata Kushtetuese ka një pozicion më të pavarur prej pushtetit shtetëror dhe sistemit gjyqësor, dhe kjo ka shumë rëndësi në pavarësinë e saj institucionale.
Ndërsa, kryetarja e Komisionit për Legjislacion në Kuvendin e Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se Gjykata Kushtetuese e Kosovës është e kapur nga shteti dhe se vendimet e saj janë skandaloze.
“Gjykata Kushtetuese, viteve të fundit ka pasur një rol problematike dhe të dëmshëm dhe kjo ka bërë që qytetarët të humbin besimin në këtë institucion, e krejt kjo po vjen në bazë të vendimeve të saj”.
Sipas saj rol të dëmshëm kanë pasur edhe të huajt, ku gjykata është e kapur nga shteti dhe vendimet e saj janë të ndikuara nga politika, ku nxirren vendime skandaloze.
Deputeti Armend Zemaj tha se një institucion si Gjykata Kushtetuese duhet të ketë imazh të mirë dhe të jetë larg ndërhyrjeve dhe ndikimit politikë.
Ky panel diskutimi u organizua me përkrahjen e Programit Rajonal për Promovimin e Kërkimeve Shkencore në Ballkanin Perëndimor dhe u financua plotësisht nga Swiss Agency for Development and Cooperation dhe Federal Department of Foreign Affairs.