Guvernatori Ismaili flet për sfidat e sektorit të sigurimeve në konferencën ndërkombëtare në Tiranë: Ky treg ka potencial të madh për zhvillim

Prishtinë | 18 Tet 2023 | 15:12 | Nga Ekonomia Online

Nën organizimin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë së Republikës së Shqipërisë (MFE), Autoritetit për Mbikëqyrje Financiare (AMF), Bankës Botërore (BB), Ambasadës së Zvicrës dhe Financat për Zhvillim (F4D), në Tiranë është mbajtur konferenca “Zhvillimi i Sektorit të Sigurimeve në Evropën Juglindore – mundësitë dhe sfidat”.Guvernatori Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili në sesionin mbi mundësitë dhe sfidat që po kalon ky sektor, në kuadër të panelit të dytë, ka theksuar se tregu i sigurimeve në vendin tonë konsiderohet ende i ri në kuptim të avancimit dhe ka potencial të madh për zhvillim të mëtutjeshëm.

“Tregu i sigurimeve në Kosovë konsiderohet ende i ri në kuptim të zhvillimit dhe ka potencial të madh për zhvillim të mëtutjeshëm. Sektori i sigurimeve nuk përmbush potencialin e tij, në mungesë të produkteve dhe interesimit të duhur nga qytetarët, ndaj shumë familje dhe ndërmarrje janë të pasiguruara ndaj rreziqeve të mëdha”, theksoi Guvernatori Ismaili.Duke folur për tregun e sigurimeve në Kosovë, i pari i BQK-së potencoi se ekziston një shkallë e caktuar përqendrimi, për sa i përket klasave të sigurimit, me theks në ato të detyrueshme.

“Ekziston një shkallë e caktuar përqendrimi në tregun e sigurimeve për sa i përket klasave të sigurimit. Sektori i sigurimeve dominohet nga segmenti i jojetës me 95.2 për qind, i cili nga ana tjetër dominohet nga Sigurimi i Përgjegjësisë së Automjeteve ndaj Palëve të Treta (MTPL) me 58.9 për qind”, theksoi i pari i BQK-së në konferencën e mbajtur në Tiranë.

“Po ashtu, ky sektor është shoqëruar me probleme dhe sfida në lidhje me stabilitetin financiar dhe pajtueshmërinë me kërkesat rregullatore të disa siguruesve, kryesisht për shkak të qeverisjes së dobët korporative dhe kontrolleve të brendshme joefikasikase, nënvlerësimit të provizioneve teknike, etj.”, ka shtuar Guvernatori Ismaili.Sipas Guvernatorit Ismaili, me gjithë përmirësimet për shkak të natyrës së ndjeshme dhe nivelit të zhvillimit, ky sektor mbetet prioritet i lartë për BQK-në.”Ky sektor mbetet prioritet i lartë për BQK-në. Sa i rëndësishëm ishte tejkalimi i problemeve të tjera me të cilat po përballej ky sektor edhe më i rëndësishëm mbetet përmirësimi i qeverisjes së korporatave, kontrollit të brendshëm, niveleve të kënaqshme të rezervave dhe performancës”, pohoi Guvernatori Ismaili.

Guvernatori Ismaili ka folur edhe për bashkëpunimin e mirë me AMF-në dhe institucionet mbikëqyrëse rajonale dhe ndërkombëtare. Gjithashtu, Guvernatori Ismaili ka theksuar se BQK-ja është e angazhuar në përmirësimin e infrastrukturës ligjore dhe përafrimin me atë të Bashkimit Evropian.”Ne jemi të angazhuar në mënyrë aktive në përmirësimin e infrastrukturës ligjore në përputhje me zhvillimet e reja të legjislacionit të BE-së dhe praktikave më të mira. Janë një sërë rregulloresh të reja që janë hartuar dhe janë në prag të miratimit dhe një sërë të tjerash që janë në proces të ndryshimit”, theksoi Guvernatori Ismaili.

Në këtë panel, drejtuesi i BQK-së ka folur edhe për planet për sektorin e sigurimeve, që përfshin lëvizjen drejt Solvency II, zbatimin e Standardit Ndërkombëtar të Raportimit Financiar 17, që lidhet me sektorin e sigurimeve, duke paraqitur edhe sfidat për zbatimin e këtyre standardeve.Në fund, Guvernatori Ismaili ka përmendur edhe sfidën e anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Këshillin e Byrove.

“Për arsye politike, aktualisht Kosova nuk është në gjendje të anëtarësohet në Këshillin Ndërkombëtar të Byrove (COB). Mospajisja me Kartonin e Gjelbër të mjeteve motorike me targa RKS është pengesë serioze në lëvizjen e lirë të njerëzve (makinave) dhe mallrave (transportit), e cila kërkon zgjidhje të menjëhershme me mbështetjen e institucioneve”, ka përfunduar Guvernatori Ismaili.

Të ngjashme