Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, me delegacionin e tij, në kuadër të pjesëmarrjes në Takimet Pranverore 2026 të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botërore (BB), u mirëprit ngrohtësisht në Zyrën e Asistencës Teknike të Departamentit të Thesarit të SHBA-së nga drejtorët Ed Roche si dhe Rachel Irmen, përgjegjës për zhvillimin e tregut të kapitalit, si dhe për fushën e PPP/LPPFT, me bashkëpunëtorë.
Takimi riafirmoi partneritetin e fortë ndërmjet Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës dhe Departamentit të Thesarit të SHBA-së, si në kuadër të projektit aktual, ashtu edhe në mundësinë e zgjerimit të bashkëpunimit në fusha me rëndësi strategjike, sipas Planit Strategjik, siç janë lufta kundër pastrimit të parave, financimit të terrorizmit dhe financimit të përhapjes (PP/FT/FP) dhe zhvillimi i infrastrukturës për tregun e kapitalit. Kjo përfshin edhe mbështetjen e punës fillestare për infrastrukturën më të gjerë të tregut të kapitalit dhe kornizat e nevojshme operacionale.
Në fjalën e tij, Guvernatori Ismaili shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e vazhdueshme të Thesarit të SHBA-së ndaj BQK-së, duke vlerësuar lart vazhdimin e aktiviteteve që mbështesin asistencën teknike. Gjithashtu, ai vlerësoi lart rolin e rëndësishëm të Departamentit të Thesarit të SHBA-së në fuqizimin e funksioneve kryesore dhe ngritjen e kapaciteteve të BQK-së.
Delegacioni i BQK-së e informoi ekipin e Thesarit mbi zhvillimet kryesore në avancimin e kornizës ligjore dhe masat e marra për të avancuar integritetin e sistemit financiar.
Gjithashtu, Guvernatori Ismaili riafirmoi angazhimin e BQK-së për të avancuar partneritetin e ngushtë me Thesarin e SHBA-së në fusha me interes strategjik të përbashkët.
Nga ana e tyre, drejtuesit e Zyrës së Asistencës Teknike të Thesarit Amerikan konfirmuan gatishmërinë e tyre për të zgjeruar bashkëpunimin në kuadër të programit të ri të asistencës teknike në fushën kundër PP/FT/FP, si dhe për të eksploruar një projekt të mundshëm për avancimin e infrastrukturës teknike për zhvillimin e tregut të kapitalit.
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar ndaj misionit të saj për të promovuar një sektor financiar të fortë, gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm, në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.