Guvernatori Ismaili në Tiranë: Ballkani Perëndimor duhet të bashkëpunojë në sistemin e pagesave të shpejta

Prishtinë | 27 Sht 2023 | 10:07 | Nga Ekonomia Online

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës Ismaili mori pjesë në Forumin e Ministrave të Ekonomisë në kuadër të procesit të Berlinit në Tiranë, i titulluar “Tregu i përbashkët rajonal – një hap drejt Tregut Unik të BE-së”. Në këtë forum të nivelit të lartë u argumentua nevoja e ndërlidhjes së vendeve të Ballkanit Perëndimor me sistemin e pagesave të shpejta të Bankës Qendrore Evropiane të njohur si TIPS, për të lehtësuar dhe përshpejtuar pagesat ndërkufitare ndërmjet gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së.

Në kuadër të këtij projekti, vendet e Ballkanit Perëndimor u zotuan të ndërmarrin hapa konkret drejtë plotësimit të kritereve për anëtarësim në skemën e pagesave të BE-së SEPA (Zona e Unifikuar e Pagesave në BE). Ky anëtarësim do të lehtësonte tregtinë në të gjithë rajonin dhe me BE-në, duke mbështetur lëvizjen e kapitalit, aktivitetin ekonomik dhe një sistem inovativ, të sigurt dhe efikas të pagesave.

Në margjinat e këtij takimi, Guvernatori Ismaili ishte pjesë e panelit me temën “Integrimi i Sistemit të Pagesave të Regjionit për të lehtësuar tregtinë dhe përgatitjen e ekonomive të vendeve të Ballkanit Perëndimor për integrimin e mundshëm në Eurozonë”, ku shpalosi orientimin strategjik të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës drejt reformimit të Sistemit Kombëtar të Pagesave, si dhe rëndësinë e ndërlidhjes së tij me sistemet e pagesave regjionale dhe të BE-së.

Përveç kontributit në ekonomi, për Republikën e Kosovës ky proces ndikon direkt edhe në shfrytëzimin e përfitimeve të gjëra nga bizneset, qytetarët dhe diaspora, në kuptimin e uljes së kostos, si dhe rritjes së shpejtësisë dhe sigurisë së transaksioneve të pagesave dhe remitancave.

Të ngjashme