Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, i shoqëruar nga Anëtarja Joekzekutive e Bordit, Latifi-Jashari, Zëvendësguvernatori z. Fusha dhe bashkëpunëtorë të tjerë, zhvilloi një takim bilateral me Shefin e Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) për Kosovën, David Amaglobeli dhe ekipin e tij, në kuadër të Takimeve Pranverore 2026 që po mbahen në Washington DC.
Gjatë takimit të përbashkët me Ministrin Murati, të mbajtur në formatin e FMN-së, Guvernatori Ismaili e njoftoi Amaglobeli mbi zhvillimet më të fundit makroekonomike dhe financiare në Kosovë, me theks të veçantë në indikatorët kryesorë makroekonomikë dhe të sektorit financiar, të cilët dëshmojnë stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e sistemit financiar të vendit. Gjithashtu, në takim u diskutua edhe progresi i arritur në kuadër të Raportit të Stafit për Konsultimet e Nenit IV për vitin 2026.
Guvernatori Ismaili theksoi përkushtimin e vazhdueshëm të BQK-së për zbatimin e reformave strukturore, avancimin dhe forcimin e kornizës rregullative, si dhe ruajtjen e stabilitetit financiar dhe makroprudencial. Ai gjithashtu vuri në pah angazhimin aktiv të BQK-së në iniciativa rajonale bashkëpunuese, përfshirë iniciativën e FMN-së për Qendrën Rajonale të Asistencës Teknike (SEETAC), me qëllim harmonizimin e politikave dhe shkëmbimin e praktikave më të mira ndërkombëtare.
Nga ana e tij, Amaglobeli vlerësoi bashkëpunimin konstruktiv dhe partneritetin ndërmjet BQK-së dhe FMN-së, si dhe progresin në forcimin e kapaciteteve institucionale. Ai theksoi rëndësinë e mbështetjes së FMN-së përmes asistencës teknike dhe vlerësoi angazhimin e vazhdueshëm të BQK-së në këtë drejtim.
Në përfundim, të dy palët theksuan rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet FMN-së dhe BQK-së, duke vlerësuar ecurinë e deritanishme dhe kontributin e përbashkët në forcimin e stabilitetit makrofinanciar dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të Republikës së Kosovës.