Guvernatori Mehmeti kërkon nga FKPK rritje të kujdesit në menaxhimin e kontributeve pensionale

Prishtinë | 22 Jan 2019 | 16:16 | Nga Ekonomia Online

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti, takoi anëtarët e Bordit Drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK), të kryesuar nga Ruzhdi Morina.

Me këtë rast, Guvernatori Mehmeti kërkoi sqarime më të detajuara rreth zhvillimeve të fundit lidhur me performancën financiare të investimeve të FKPK-së, e cila përkundër performancës pozitive gjatë pjesës më të madhe të vitit 2018, në tremujorin e fundit të vitit 2018 shënoi rënie si rezultat i zhvillimeve në tregjet globale financiare.

Guvernatori Mehmeti vlerësoi pozitivisht performancën e investimit të kontributeve pensionale në dhjetë vitet e fundit, e cila sipas raporteve të FKPK-së, ka siguruar një kthim pozitiv në investime në vlerë prej 380.09 milionë euro.

Guvernatori po ashtu kërkoi nga përfaqësuesit e FKPK-së që të shtojnë kujdesin në menaxhimin e luhatjeve afatshkurtra të tregjeve globale, të ngjashme me ato të periudhës së fundit, në mënyrë që të minimizohen rreziqet për investimet e kontributeve pensionale të qytetarëve kosovarë.

Për më tepër, Guvernatori Mehmeti kërkoi rritje të komunikimit të FKPK-së me publikun në mënyrë që qytetarët të jenë mirë të informuar dhe të kenë kuptim të drejtë të zhvillimeve në tregjet financiare globale e të cilat në mënyrë të drejtpërdrejtë ndikojnë në vlerën e kursimeve të tyre pensionale.

Nga ana tjetër, Kryesuesi i Bordit Drejtues të FKPK-së, Ruzhdi Morina, njoftoi Guvernatorin rreth zhvillimeve të lidhura me investimet e FKPK-së në tregjet financiare ndërkombëtare, duke theksuar se rënia e shënuar në tremujorin e fundit të vitit 2018 deri në një masë është kompensuar me kthimin pozitiv që kanë shënuar investimet e FKPK-së gjatë muajit janar 2019.

Ai theksoi se investimet e FKPK-së bazohen në një politikë mjaft të kujdesshme të investimit, të bazuar në një baraspeshë mjaft konzervative ndërmjet kthimit dhe rrezikut, e cila në periudhën afatgjate ka rezultuar me një performancë mjaft të kënaqshme të investimeve.

Në këtë kontekst, me gjithë luhatjet afatshkurtra të tregjeve globale, Kryesuesi i Bordit Drejtues të FKPK-së theksoi se perspektiva afatgjate e investimeve të kontributeve pensionale të qytetarëve të Kosovës është pozitive.

Të ngjashme