Guvernatori Mehmeti takoi delegacionin e IFC-së

Prishtinë | 28 Mar 2019 | 15:26 | Nga Ekonomia Online

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti priti në takim delegacionin nga Korporata Financiare Ndërkombëtare (IFC), pjesë e Bankës Botërore të kryesuar nga DamienShiels.

Guvernatori Mehmeti i njoftoi të pranishmit me zhvillimet e fundit në sektorin financiar, në veçanti për sektorin bankar, i cili po vazhdon të jetë stabil.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e IFC-së informuan Guvernatorin Mehmeti për projektin e saj në përmirësimin dhe reformimin e strukturës ligjore dhe ndërtimin e kapaciteteve në fushën  e risktrukturimit dhe likuidimit të bizneseve.

Qëllimi i këtij projekti është të asistojë Qeverinë e Republikës së Kosovës në përpjekjet e veta për përmirësimin e regjimit të vet të para-falimentimit dhe paaftësisë së pagesave në vend dhe stimulimin e përdorimit të kornizës së falimentimit.

Ky projekt pritet që të shpie drejt përmirësimit të rikthimit të kredisë dhe kthimit të rritur të kredisë kreditorëve, të mundësojë rehabilitimin e bizneseve të mundshme dhe që të zbutet likuidimi i kompanive joefektive dhe t`i kthejë pasuritë e tyre në përdorim produktiv.

Ky projekt gjithashtu do të rezultojë në mundësimin e qasjes në kredi duke rritur parashikueshmërinë për huadhënësit dhe reduktimin e primeve të rrezikut që ata mund të shqiptojnë, në këtë mënyrë duke bërë kredinë më të qasshme.

Në përgjithësi, kjo synon krijimin e mjedisit të favorshëm për biznes për investitorët e huaj dhe vendor dhe krijimin e biznesit të domosdoshëm për rritje të qëndrueshme ekonomike.

Kjo do të arrihet përmes asistencës teknike të synuar për të përmirësuar kornizën primare dhe

sekondare ligjore për regjimin e paaftësisë së kryerjes së pagesave dhe falimentimit, krijimin e një kornize ligjore dhe rregulluese për administratorët e likuidimit, ngritja e kapaciteteve për aktorët kyçë në procesin e falimentimit dhe ndërtimi i mekanizmave për promovim të përdorimit të sistemit të falimentimit.

Gjithashtu, IFC-ja kërkoi nga BQK-ja përkrahje në këtë projekt, si dhe të ketë rol primar në udhëheqjen e Grupit Punues dhe zhvillimin e strategjisë për kreditë joperformuese.

IFC shprehu gatishmërinë për të asistuar në avancimin e mëtutjeshëm të Regjistrit të Kredive të Kosovës.

Nga ana tjetër, Guvernatori Mehmeti, falënderoi IFC-në dhe Bankën Botërore për përkrahjen e vazhdueshme të sektorit financiar dhe shprehu gatishmërinë për bashkëpunim edhe në të ardhmen.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme