Hadërgjonaj: Po mundohemi të përfitojmë nga “telashet” e lehta në ekipin zviceran

Prishtinë | 18 Nën 2023 | 13:01 | Nga Ekonomia Online

Për Kosovën, përballja me Zvicrën nuk është gjë tjetër veçse një lojë rrëqethëse. Falë fitores 1-0 ndaj Izraelit të dielën, skuadra ka mbajtur gjallë shanset e vogla të kualifikimit direkt në Kampionatin Evropian.

Për ta bërë këtë, skuadrës së trajnerit slloven Primozh Gliha, i cili është në krye që nga korriku, do t’i nevojiten fitoret kundër Zvicrës dhe Bjellorusisë si dhe ndihma nga Rumania.

Përveç dy lojtarëve të Superligës zvicerane, Kreshnik Hajrizi (Lugano) dhe Alban Ajdini (Lausanne-Ouchy), në skuadrën e “Dardanëve” janë edhe Fidan Aliti, Florent Hadergjonaj dhe portieri Arijanet Muric, të rritur në Zvicër.

Për ta, ndeshja ndaj Zvicrës do të jetë një ngjarje edhe më e veçantë. Në anën tjetër për shkak të lëndimit do të mungojë Vedat Muriqi, i cili i shënoi të dy golat në barazimin 2-2 në takimin e fundit me Zvicrën.

Qëllimi, tri pikët

Hadergjonaj, i cili bëri debutimin e tij ndërkombëtar për Zvicrën në një miqësore kundër Bjellorusisë në vitin 2017, do të vishte fanellën e Kosovës për herë të 30 nëse do të luante në Bazel të shtunën. Sigurisht që ish-juniori i Young Boys nuk e lë pa përmendur faktin që dueli me Zvicrën vjen në një moment të veçantë.

“Ndërsa Zvicra ka humbur pikë në 4 nga 5 ndeshjet e fundit, Kosova udhëton me vrullin e dy fitoreve të para të sezonit aktual. Po mundohemi të përfitojmë nga telashet e lehta në ekipin zviceran. Ne po vijmë për të marrë tre pikët. Ne e pamë në ndeshjen e parë se e kemi mundësinë”, deklaroi Hadërgjonaj, raporton SRF, transmeton Klankosova.tv.

Mbrojtësi i krahut 29-vjeçar, i cili nuk ka kontratë me Kasimpasa që nga ky sezon, por është transferuar te Alanyaspor në kuadër të Ligës Turke, dëshiron të vazhdojë të ketë fjalën në luftën për një nga dy vendet e para të Grupit I.

Megjithatë, ai e vlerëson realisht situatën fillestare. “Matematikisht, shanse ende kemi, por janë edhe shumë gjëra tjera që duhet të bashkohen. Ndeshja e së shtunës është prioriteti ynë kryesor”, theksoi mbrojtësi “dardan”, Hadërgjonaj.

Kosova luan sot kundër Zvicrës në Bazel me fillim nga ora 20:45. 

Të ngjashme