Hajrizi: UBT-ja me sukses po e zhvillon mësimin në distancë

Prishtinë | 16 Maj 2020 | 08:22 | Nga Halide Rexhepi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Për shkak të pandemisë së Coronavirusit, që nga 23 marsi në të gjitha institucionet arsimore, private e publike mësimi po zhvillohet në distancë.

Rektori i kolegjit UBT në një intervistë për Ekonomia Online tha se mësimi në distancë në këtë institucion të arsimit të lartë ka rezultuar i suksesshëm.

“Menjëherë jemi transformuar në platformë digjitale që në fakt ne e kemi pasur të  zhvilluar edhe më herët përmes departamentit  tonë për zhvillimin e teknologjisë të edukimit dhe më pastaj kemi vazhduar me këtë platformë. Kemi filluar në javën e parë si një lloj  testimi për ta provuar se si po adaptohen mësimdhënësit dhe studentët. Pas javës së parë kemi vazhduar në mënyrë të plotë me të gjitha lëndët që të mbajmë mësimin në këtë formë”, shtoi Hajrizi.

Përveç mësimit teorik në distancë UBT-ja u ka mundësuar studentëve të vet për herë të parë në botë mësimin virtual në laboratorë.

“Kemi lansuar edhe një platformë të re të quajtur “Platforma digjitale e bazuar në realitetin virtual”,  ku u kemi mundësuar studentëve që të kenë qasje prej shtëpisë në  laboratorët e veta në objektet fizike. Për herë të parë në botë UBT-ja konsiderohet si implementues i parë i një ekologjie të tillë në tërësi”, u shpreh ai.

Hajrizi tregon se provimet po ashtu do të mbahen online përmes një platforme të krijuar e cila mundëson sistem të sigurisë gjatë procesit të testimit.

“Ne kemi menduar që këto veprime mund t’i kryejmë deri në përfundim të vitit akademik, pra deri në tetor pasi atëherë përfundon zyrtarisht viti akademik. Ne kemi vendosur që afatin plotësues që e kemi gjatë semestrit  ta implementojmë,  mos ta shtyjmë dhe për herë të parë të bëhet në platformën “Formë Edition”, kemi krijuar një sistem tjetër ku krijon një siguri më të madhe gjatë procesit të notimit”, shtoi Hajrizi.

Përveç mësimit në distancë edhe Agjencia e Akreditimit të Kosovës,  ka filluar me akreditimin në distancë, ku nga kolegji UBT janë në proces të akreditimit mbi 20 programe dhe 4 akreditime institucionale të degëve.

“Agjencia e akreditimit ka marrë vendim që të vazhdojë procesin e akreditimit në distancë dhe në prezencë, edhe ashtu procesi është i njëjtë. UBT-ja ka aplikuar, kemi aplikuar vitin e kaluar diku me mbi 20 programe dhe janë në procedurë të akreditimit dhe kemi 4 akreditime institucionale të degëve.  Këtë javë do të kemi procesin e parë të degëve dhe mandej do të vazhdojmë edhe me pjesë të tjera”, u shpreh Hajrizi.

Rektori Hajrizi tregon që në këtë situatë të pandemisë janë munduar tu dalin në ndihmë institucioneve ku falë lidhjeve të tyre, kanë arritur të sigurojnë disa teste të shpejta amerikane për IKShP-në.

“Falë lidhjeve dhe bashkëpunimit me njerëz që të sigurojmë një sasi të testeve. Kemi marrë disa mostra dhe i kemi sjellë në Kosovë dhe i kemi çuar në ministri të shëndetësi për t’ua ofruar, sepse testimet nuk mund kryejmë si institucione, ato tash janë në kuadër të IKShP-së dhe ministrisë”, tha ai.

Të ngjashme