Halil Çadraku i ftuari i radhës i Speciales

Prishtinë | 09 Nën 2019 | 21:03 | Nga Ekonomia Online

Ish-luftëtari i UÇK-së, Halil Çadraku, është i ftuari i radhës i Gjykatës Speciale.

Kjo është bërë e ditur përmes një postimi në Facebook nga bashkëshortja e tij, Peka Gashi.

Përmes këtij postimi bëhet e ditur se Çadraku ishte gjykuar edhe nga UNMIK-u dhe EULEX-i.

“Gjithë jeta juaj ka qenë në shërbim të vendit. Çdo angazhim dhe përgjegjësi e keni kryer me nderë dhe krenari. Kam qenë, jam dhe do të jem përherë krenare me juve Eprorët dhe Shefat e mi. Halil Çadraku , ashtu siç dole faqebardhë në gjykimet e UNMIK-ut dhe EULEX-it, kështu do të dalësh edhe tani në Gjykatën Speciale, ftesën e së cilës e more sot. Lufta jonë ka qenë e pastër dhe e drejtë, këtë ju më së miri do ta dëshmoni. Do ta dëshmoni se urrejtja e armiqve dhe bashkëpunëtoreve të tyre ndaj SHIK-ut dhe ZKZ-së do të deklasohet dhe klasifikohet si urrejtje patologjike ndaj Luftëtarëve të Dritës dhe Lirisë.
Ju, Luli dhe Fatosi i Luftës, do të dëshmoni se UÇK-ja ka dhe një emër, Liri”, ka shkruar ajo.

Të ngjashme