Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, ka thënë se kanë “lajme të mira” për konstituimin e Kuvendit dhe të Qeverisë.
Por Haliti, i vetmi i cili foli për gazetarët pas mbledhjes së Kryesisë të PDK-së, tha se nuk e dinë sigurt a i kanë 61 votat e nevojshme për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe të Qeverisë. Vazhdimi i mbledhjes konstituive të Kuvendit është paralajmëruar të mbahet të enjten.
Më herët gjatë ditës, kreu i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli, shpalli largimin nga koalicioni me Lidhjen Demokratike dhe Alternativën
Pacolli nuk pohoi se do t’i bashkohet koalicionit PAN, por deklaroi se sot do të takohet me Ramush Haradinajn, kandidatin e PAN-it për kryeministër.
Por, Haliti nuk ka dashur të komentojë asgjë megjithë insistimin e gazetarëve. “A do t’i bashkohet PAN-it, ky është problem i Pacollit”, ishte përgjigja e tij.
Në takim ka marrë pjesë dhe kryetari i partisë, Kadri Veseli, por ai nuk është prononcuar.