Në kuvendin e Kosovës po vazhdon debati në lidhje me buxhetin e vitin 2019-të.
Ministri i Financave, Bedri Hamza, iu drejtua deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Shemsi Syla, se nuk ka nevojë të krijojë panikë tek qytetarët se duhet të krijohet një burim tjetër financimi për krijimin e FSK-së, duke thënë se mbështetet në buxhetin e Kosovës dhe që është i mjaftueshëm.
Kjo pasi Syla tha se krijimi i FSK-së nuk mund të mbështetet në buxhetin e Kosovës dhe se nuk është krijuar një strategji veprimi e saj, raporton Ekonomia Online.
“Besoj e ke shikuar deklaratën financiare ku shkruan se aq sa ka nevojë që kjo të ndodhë do ketë mbështetjen e mjaftueshme financiare. Kah vijnë burimet buxhetore, më shumë përgjegjësi kanë ministrat. Unë u kam thënë për FSK-në, se Syla më ka kërkuar më shumë pare a mos keni lyp më pak pare ju? Unë po them që ka mundësi me u siguruar financim për këtë çështje të rëndësishme pa qenë nevoja me ndërhy dhe me i pengu projektet ekzistuese”, tha ai.
Ai tha se FSK-ja do të mbështetet nga buxheti i Kosovës dhe nuk ka nevojë për mënyra tjera të financimit.
“Edhe një çështje, buxheti i shtetit e financon FSK-në, ushtrinë e ardhshme të Kosovës në mënyrë transparente, ligjore, publike dhe nuk ka nevojë që për këto qëllime të bëhet përpjekje, të prodhohen situata që këto institucione duhet me u financuar edhe në mënyra të tjera”, tha ai, raporton EO.
Hamza tha se edhe nëse do të ketë nevoja shtesë për FSK-në, ato do i mbulojë qeveria.
“Në qeveri është ngritë edhe një kërkesë për 2-3 milionë dhe unë si ministër e kam përkrahë. Ministria e FSK-së do ta ketë përkrahjen e ministrisë së financave, qeverisë dhe kuvendit të Kosovës dhe nuk mendoj që është mirë me ngritë dilema a kemi buxhet të mjaftueshëm për të financuar FSK-së. Ka strategji, është në detale e rregulluar mënyra e transformimit, kërkesa, buxheti, nëse kanë ndonjë kërkesë shtesë jemi këtu me iu plotësuar, prandaj mos të krijojmë panikë dhe hajde tash të gjejmë forma të tjera të financimit”, tha ai.