Ministri i Financave Bedri Hamza, po qëndron për vizitë zyrtare në Austri, ku me ftesë të ministrit të Financave të Austrisë Hartwig Löger, po merr pjesë në Konferencën ministrore për reformat në sistemin financiar, e cila po mbahet në Vjenë të Austrisë.
Ministri Bedri Hamza gjatë prezantimit në panel në kuadër të kësaj konference, ka prezantuar reformat më të mëdha që janë bërë deri më tani në fushën e financave në Kosovë. Ai me këtë rast solli në mendjen e të pranishmëve që Kosova është dashur që të ndërtojë sistemin e vetë financiar që nga zero-ja.
“Përkundër vështirësive, kjo na ka ofruar një mundësi që shumë praktika të mira t’i integrojmë në strukturën e sistemit tonë nga niveli lokal dhe qendror, nga një sistem i centralizuar në sistem të decentralizuar me përgjegjësi mirë të definuara në menaxhimin financiar, duke përfshirë edhe sistemin e kontrollit”, shtoi Ministri Hamza.
Ai bëri të ditur se në vitin e fundit në Kosovë kemi përmirësuar keqklasikimet ekonomike në vlerë prej rreth 2.5% të totalit të shpenzimeve buxhetore. Në të njëjtën kohë, kemi përmirësuar edhe konsolidimin e entiteteve jashtë-buxhetore.
“Kemi bërë edhe shumë përmirësime në transparencë. Kemi filluar me raportimin e serive mujore që janë lehtë të qasshme për publikun, buxhetin e qytetarëve, ndërsa së shpejti do të publikojmë një portal të avancuar transparence buxhetore, që mundëson edhe vizualizimin e të dhënave financiare dhe buxhetore”, theksoi Ministri Hamza.
Ai bëri të ditur gjithashtu se Kosova gjatë dekadës së fundit ka institucionalizuar katër rregulla fiskale për mbarëvajtjen e stabilitetit Makro-fiskal.
Në përfundim të fjalimit të tij në Konferencën ministrore që po mbahet në Vjenë, Ministri Hamza ritheksoj edhe njëherë nevojën e shfrytëzimit të ditëve të mira fiskale për ta sforcuar sistemin e llogaridhënies dhe transparencës si dhe domosdoshmërinë e vlerësimit të reformave kontabël si vegël për zhvillim e jo si reformë teknike.