Gjatë shqyrtimit të raportit vjetor financiar të buxhetit të Kosovës për vitin 2017, Bedri Hamza raportoi për ekzekutimin e buxhetit për periudhën 1 janar – 31 dhjetor 2017.
Hamza tregoi se më 31 dhjetor 2017, bilanci i fondeve ishte 357 milionë euro.
“Ky raport prezanton ekzekutimin e buxhetit 1 janar – 31 dhjetor 2017. Me ligjin për ndarje buxhetore të vitit 2017 të aprovuar në dhjetor 2016, plani vjetor i pranimeve ishte 2 miliardë e 109 milionë euro kurse i pagesave 2 miliardë e 86 milionë euro, ndërsa me rishikimin e buxhetit që ka ndodhur në tetor të vitit 2017 përmes ligjit, plani vjetor i pranimeve ishte 1 miliard e 968 milionë euro kurse plani i pagesave ishte 1 miliard e 941 milionë euro, duke përfshirë të hyrat vetanake të bartura, grantet e përcaktuara të donatorëve dhe fondet në mirëbesim, sipas ligjit për menaxhimin e financave publike”.
“Pranimet e realizuata gjatë vitit 2017, duke përfshirë fondet në mirëbesim dhe donacionet ishin 1 miliard e 923 milionë euro që paraqesin 98% të pranimeve të përgjithshme vjetore të planifikuara dhe krahasim me vitin paraprak kemi një rritje prej 8%. Gjatë vitit 2017 duke përfshirë fondet në mirëbesim dhe donacionet 1 miliard e 837 milionë euro dhe paraqesin 95% të pagesave vjetore të planifikuara që me vitin paraprak kemi një rritje prej 4%. Bilanci i fondeve me 31 dhjetor 2017 ishte 357 milionë euro”.
“Pranimet e prezantuara më lart në vlerë prej 1 miliard e 923 milionë euro, sipas strukturës buxhetore ishin si vijon: të hyrat direkte në shumë prej 238 milionë euro, të hyrat indirekte në shumë prej 1 miliard e 315 milionë euro, të hyrat jo tatimore ishin 186 milionë euro, huamarrja shtetërore nën huazim 212 milionë euro, grantet e përcaktuara të donatorëve 8 milionë euro dhe pranimet tjera në shumë prej 21,5 milionë euro. Përderisa kthimi tatimor ishin 57 milionë e 600 mijë euro që kanë reflektuar në totalin neto të prezantuar më lart të cilat kthimet tatimore nga doganat 9,1 milionë euro, ATK-ja në vlerë 48.5 milionë euro”.
“Të hyrat e mbledhura në kuadër të agjencive në kuadër të Ministrisë së Financave ishin 1 miliard e 535 milionë euro si vijon: doganat kanë mbledhur një shumë 1 miliardë e 121 milionë euro dhe marrin pjesë me 58% të të hyrave të përgjithshme duke arritur planin vjetor dhe me një rritje 7% krahasuar me vitin paraprak, ATK-ja ka mbledhur 414 milionë euro duke përfshirë të hyrat e njëhershme nga arkëtimi i borxhit tatimor prej 11 milionë euro dhe marrë pjese me 22% në totalin e përgjithshëm me 98% të planit vjetor dhe me një rritje 7% krahasim me vitin paraprak… etj.”