Hapet edicioni i 17-të i Universitetit Veror Ndërkombëtar të Prishtinës

Prishtinë | 04 Kor 2017 | 14:17 | Nga

Në amfiteatrin e Bibliotekës Universitare të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, me një ceremoni solemne u shënua hapja e edicionit të 17-të të Universiteti Veror Ndërkombëtar të Prishtinës.

Shume etni, religjione, raca e diversitete të tjera ishin gërshetuar në këtë ambient, me qëllim të shënimit të ceremonisë hapëse të edicionit të 17-të të UVP-së, njëherësh programit më serioz të arsimit të lartë në vendin tonë dhe më gjerë.

I pari që iu drejtua audiencës ishte Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Marjan Dema.

Ai i përgëzoi studentët pjesëmarrës në këtë program.

“Në këto momente, më vjen në mendje thënia e Nelson Mandelës,’Edukimi është arma më e fuqishme të cilën mund ta shfrytëzoni për ta ndryshuar botën’”.

“Uroj që një ditë, kur të bëheni udhëheqës të vendeve tuaja, në vend të luftës, të promovoni paqen, në vend të urrejtjes, të promovoni dashurinë, dhe ta shfrytëzoni këtë ‘armë’ për të mirën e vendit dhe botës. Duke ju përgëzuar secilin prej jush për pjesëmarrjen tuaj në këtë ngjarje të rëndësishme, ndjehuni të lirë që ta ndieni Universitetin e Prishtinës si shtëpinë tuaj, ndërsa Kosovën si shtetin tuaj”, tha ai.

Rektori Dema falënderoi edhe profesorët të cilët kanë zgjedhur pikërisht UP-në për të kaluar afër dy javë përvojë akademike dhe për të shkëmbyer njohuritë e tyre me studentët dhe kolegët pjesëmarrës në këtë edicion.

Në anën tjetër, fillimin e edicionit të 17-të të Universitetit Veror e përshëndeti edhe ministri i Diasporës, Valon Murati.

“Ekziston një arsye e veçantë se pse ne e mbështetim Universitetin Veror të Prishtinës, përkundër asaj akademike. E ky është fakti që Kosova, edhe pse është një vend i vogël, ka një diasporë të madhe e të shpërndarë në mbarë botën. Rrjedhimisht, ne jemi të gatshëm të shfrytëzojmë secilën mundësi që t’i sjellim ata në vendlindjen e tyre, e UVP-ja është një edicion që e mundëson një gjë të tillë” tha z. Murati.

Ndërkaq, drejtorja e departamentit të arsimit të lartë në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Drita Kadriu e konsideroi “margaritar” UVP-në.

“UVP është një margaritar, i cili për çdo vit po rritet dhe vërtetë po i shton krenarinë UP-së dhe institucioneve të arsimit të lartë në vendin tonë” tha ajo.

Ky edicion i UVP-së ka mbledhë në Universitetin e Prishtinës rreth 350 studentë vendorë dhe ndërkombëtarë.Këta studentë do të kenë fatin të kenë si ligjërues 11 profesorë ndërkombëtarë, të cilët në bashkëpunim me po aq profesorë vendorë do të ligjërojnë kurse nga lëmi të ndryshme si: sporti, bujqësia, shkencat shoqërore, ekonomiku, juridiku e të tjera.

Universiteti Veror do të mbahet në UP deri me 14 korrik 2017.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme