Për dy ditë me radhë në sallën “1 Tetori” do të jenë të hapura dy panaire ai i Edukimit dhe Panairi i Turizmit e Sportit, organizuar nga CEO – Congress & Event Organization, raporton Ekonomia Online.
Në panairin e Edukimit përveç institucioneve nga vendi janë ekspozues edhe universitete nga Gjermania, Holanda, Finlanda, Sllovenia, Letonia si dhe universitete nga vendet e rajonit, si Shqipëria dhe Maqedonia. Për studentët janë paraparë bursa studimi dhe zbritje atraktive.
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), Shyqri Bytyqi tha se panairi do të jetë mundësi e mirë të ju ofrojë studenteve informacione duke mundësuar ngritjen e vetëdijes për orientimin e duhur në karrierë e përcaktuar drejtë për studime në universitete të përshtatshme të cilat bëjnë përgatitje cilësore për tregun e punës.
“Sot është një ditë e madhe një ditë e mirë sepse po fillon panairi. Kjo traditë e panaireve po tregon që ne jemi në rritjen e standardeve, por edhe të rinjtë tanë kanë të drejtë t’i kenë informatat në kohë në veçanti nga ajo që po shihet këtu është që kemi pjesëmarrje të madhe të shkollave profesionale. Ne kemi nevojë që të rinjtë tonë të orientohen drejt nevojave të tregut. Konsideroj që jo vetëm në këtë panair, por ne vazhdimisht kemi nevojë për informacione”, tha ai.
Paralelisht me Panairin e Edukimit, u hap edhe Panairi i Turizmit dhe Sportit. Ministri i Turizmit në Malin e Zi, Qazim Hoxhiq tha se Ulqini po përgatitet të pres pushuesit kosovarë.
Sipas tij, kompanitë pjesëmarrëse kanë përgatitur oferta tërheqëse për të gjithë të interesuarit që këtë vit pushimet e tyre të jenë më atraktive por edhe me çmime promovuese.
“Unë isha këtu si një ekspozues në tendën e Ulqinit. Unë dua te ju falënderoj të gjithë shqiptarëve që vijnë në Ulqin dhe kalojnë pushimet në Ulqin. 3 milionë euro në investimin e turizmit. Më pak se 10 vite pushuesit kosovarë kalonin kohë të gjatë për në Ulqin”.
Ai tha se edhe rrugët për në Ulqin janë shkurtuar dhe ftoi kosovarët që pushimet e tyre t’i organizojnë atje.
Bekim Gjafa menaxher i panairit të këtij viti tha se po presin numër të madh të vizitorëve, raporton EO.
“Dua të potencoj që ky panair është organizuar nën patronatin e MAShT. Për herë të parë në këtë panair ka ardhur edhe zv.ministri i Turizmit nga Mali Zi. Në këtë panair po presim mbi 15.000 vizitorë. Ketë ditë po bëjmë edhe panairin e turizmit. Normalisht te sektori i turizmit kemi lidhur edhe sektorin e sportit në Kosovë”, tha ai.
Halil Bashota menaxher i Qendrës së Karrierës në UBT dhe pjesëmarrës në panair, tha se me pjesëmarrjen e tyre duan t’i informojnë nxënësit për programet që ofron Universiteti.
“Ne kemi vendosur të marrim pjesë edhe këtë vit në panairin e edukimit. Kjo është një mundësi e mirë që të rinjtë të kenë sa më shumë zgjedhje për të studiuar dhe për të vazhduar me zhvillimin profesional e akademik të tyre”.
“UBT prezanton mbi 75 specializime dhe 15 fakultete të bachelor dhe ne master dhe ka mundësi të ndryshme edhe të zhvillimit profesional të shkollave profesionale që i ka të akredituara”, tha ai.
Sherif Ahmeti pjesëmarrës prezantoi disa gurë nga miniera e Trepçës, raporton EO.
“Kam dal me ju tregu njerëzve se çfarë pasurie ka Kosova. Këta janë gurë që i kam nxjerr në kohën kur unë kam punuar në Trepçë” tha ai.