Sot, në një ceremoni zyrtare, u hapën dyert e Qendrës Informuese për Shëndetin e Gruas edhe në Kaçanik, në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) – iniciativë kjo e bërë e mundshme falë bashkëpunimit të Departamentit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale të Komunës së Kaçanikut, QKMF-së dhe Aksionit për Nëna dhe Fëmijë.
Në hapjen e qendrës në Kaçanik, zëvendës ministri Dr. Izet Sadiku deklaroi se “përmes këtyre qendrave po arrihet informimi dhe vetëdijesimi i partnerëve të rinj për kujdesin dhe përgatitjen gjatë tërë procesit të shtatzënisë si dhe për fëmijën.
Ministria e Shëndetësisë ka akredituar këtë program dhe zotohet në vazhdimin e bashkëpunimit me Aksionin për Nëna dhe Fëmijë në zgjerimin e qendrave informuese në çdo komunë.” Poashtu, Dr. Nijazi Ilazi, drejtori QKMF-së në Kaçanik theksoi se hapja e kësaj qendre do të ndikojë drejtpërsëdrejti në edukimin dhe përmirësimin e shëndetit të nënës dhe fëmijës.
Poashtu u zotua se QKMF në Kaçanik do të garantojë qëndrueshmërinë e qendrës ashtu që këshillat për pacientë të bëhen pjesë e integruar e shërbimeve ditore të kujdesit primar.
Ndërkaq, përfaqësuesja e Aksionit për Nëna dhe Fëmijë, Albiona Beha, deklaroi se themelimi i Qendrës në Kaçanik shënon pikën e 5-të, apo komunën e 4-të që inkuadron programin edukativ të qendrave si pjesë të shërbimit ditor për shëndetin e nënës dhe fëmijës.
Qendra Informuese në Kaçanik do të ofrojë shërbime edukative, aktivitete të mirëqenies fizike dhe atyre psiqike për gratë si dhe partnerët e tyre, aktivitete këto të zhvilluara në një ambient interaktiv modern e me shumë ngjyra.Thuhet në komunikatën e komunës.
Vitin e kaluar u hap zyrtarisht edhe Qendra Informuese për Shëndetin e Gruas në Shtërpcë e Mitrovicë, ndërkaq një vit më parë në Prishtinë e Ferizaj. Sot u themelua edhe qendra e 5-të në Kaçanik.
Aksioni për Nëna dhe Fëmijë synon të zgjerojë qendrat e tilla informuese për gratë shtatzëna dhe partnerët e tyre edhe në komuna të tjera të Kosovës që të ndihmojë në ngritjen e edukimit shëndetësor në vend në kuadër të nivelit primar shëndetësor.