Kryeministri Ramush Haradinaj ka vlerësuar lart veprën e veprimtarit të çështjes kombëtare, Adem Demaçi, duke thënë se ka dhënë shumë për lirinë e Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Kryeministri Haradinaj në fjalën e tij para të pranishmëve të shumtë në ceremoninë komemorative të organizuar pas ndarjes nga jeta të veprimtarit dhe simbolit të rezistencës së çështjes kombëtare, Adem Demaçi, tha se Baca Adem Demaçi ishte patriot, ishte si të tjerët por i veçantë në veprën e tij, i brezit të vet, por i vetmi.
“Kur të tjerët u ndalën Bac Ti vazhdove, kur të tjerët u gëzuan me të drejtat e pjesshme, ty të mundonte padrejtësia e pjesshme. Ti ishe i vetëm për të drejtën e plotë. Kur të tjerët iu gëzuan lirisë së pjesshme, Ty të mundonte robëria e pjesshme. Ti ishe për liri dhe të drejta të plota”, tha kryeministri Haradinaj.
Duke e vlerësuar kontributin e tij për liri, kryeministri Haradinaj tha se nuk ka të tjerë që kanë dhënë kaq shumë për të gjallë sa Baca Adem, nga e drejta e tij për jetë dhe liri, që ne të jetojmë të lirë.
“Ti dhe nga liria jote për lirinë tonë më së shumti nga të gjithë ne për së gjalli. Ti na mësove rrugën deri te liria. Më në fund populli yt po i bashkohet familjes së popujve të lirë. Prehu i qetë Baca i Kombit Adem Demaçi, Heroi ynë!”, tha kryeministri Haradinaj.